Do ta ruajmë fokusin e integrimit në Bashkimin Evropian, pres që bashkëpunimi ynë në të ardhmen të zhvillohet në baza edhe më të forta, me qëllime dhe rezultate më të mëdha, porositi ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu i cili së bashku me 11 kryetarë të komunave mori pjesë në mbledhjen e Komitetit të përbashkët konsultativ të Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të rajoneve të Bashkimit Evropian që dje u mbajt në Bruksel në të cilën temë kryesore ishte roli i autoriteteve lokale në procesin e integrimit të vendit në BE.
“Qeveria dhe qytetarët progresivë të Republikës së Maqedonisë së Veriut bënë përpjekje maksimale për kthimin e vendit në rrugën euroatlantike. Raporti i Komisionit Evropian e konfirmoi progresin e vendit në gati se në të gjitha sferat dhe vendit tonë i nevojitet impuls i ri, më i fuqishëm, e ky është fillimi i negociatave me BE-në. Ky do të jetë motiv më shumë, por edhe përgjegjësi e madhe edhe për autoritet qendrore dhe lokale. Do ta ruajmë fokusin e integrimit në Bashkimin Evropian, pres që bashkëpunimi ynë në të ardhmen të zhvillohet në baza edhe më të fuqishme, me qëllime dhe rezultate edhe më të mëdha”, tha ministri Fazliu.
Ai foli për prioritetet e Qeverisë në sferën e vetëqeverisjes lokale dhe zhvillimit rajonal, me theks në zhvillimin e barabartë të shtetit përmes nxitjes së potencialeve zhvilluese të komunave dhe të rajoneve planore dhe qasje më e madhe deri te fondet para anëtarësimit në BE.
“Qeveria e pranon rolin e autoriteteve lokale dhe i mbështet të gjitha përpjekjet e komunave dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisje Lokale për prani më të madhe dhe pjesëmarrje në proceset për zhvillim më të madh të vendit dhe të rajonit, që do të nënkuptojë edhe integrim më të madh në Bashkimin Evropian”, tha ministri Fazliu.
Bashkëkryesuesja aktuale në Komitetin e përbashkët konsultativ nga ana e Bashkimit Evropian, kryetarja e Tërboljes, Jasna Gabriq theksoi se debati i Këshillit të ministrave është kthesë në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejtë Bashkimit Evropian.
“Komiteti i rajoneve është mjet i shkëlqyer për përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta, për kuptimin e njëjtë të kushteve dhe vazhdimin e progresit të vendit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. BE-ja në Raport edhe shprehu njohje për Maqedoninë e Veriut për parandalimin e korrupsionit me sjelljen e dy ligjeve nga kjo sferë”, tha Gabriq, duke theksuar se sundimi i mirë në nivel lokal është kusht shumë i rëndësishëm në përmbushjen e kushteve në Union.
Bashkëkryesuesi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, kryetari i Shtipit Bllagoj Boçvarski tha se vendi ka bërë progres të madh dhe nga një vend i robëruar tani flitet për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Kryetari i NJVL-së Petre Shilegov si vlerë të re e theksoi lobimin e fuqishëm të BNJVL-së para pushtetit qendror, veçanërisht për përforcimin e pavarësisë financiare të komunave.
“BNJVL angazhohet për rritjen e të ardhurave për komunat nga tatimi i vlerës së shtuar prej 4,5 në 10 për qind, të mjeteve të tatimit personal nga ato tri modestet në 50 për qind, për sigurimin e mjeteve të nevojshme nga dotacionet nga buxheti qendror”, tha Shilegov.
Ambasadorja pranë misionit të përhershëm të BE-së, Agnesa Rusi Popovska foli për progresin e vendit dhe reformat e bëra dhe pritjet nga Bashkimi Evropian.
“Pak do të dëshpërohemi, por jo edhe të largohemi nga procesi i integrimit në BE. Shpresoj se Unioni do t’i përmbushë pritshmëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në interesin personal do t’i hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut”, theksoi Rusi.
Përfaqësuesja e Drejtoria për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim Tereza Moran tha se vlerësimi i tyre është se Republika e Maqedonisë së Veriut ka realizuar rezultate jo vetëm në sferat në të cilat vlerësohet, por edhe më shumë nga kjo edhe rekomandimi është se është koha që negociatat të fillojnë.
Nesër, delegacioni ynë do të marrë pjesë në sesionin plenar të “Ditës së zgjerimit”, ngjarje në të cilën do të marrin pjesë të gjitha vendet anëtare të Komitetit të rajoneve të Bashkimit Evropian.