Fejzi Hajdari: Hallet e përfaqësuesve të BDI-së dallojnë shumë nga hallet e shqiptarëve!

Fejzi Hajdari: Hallet e përfaqësuesve të BDI-së dallojnë shumë nga hallet e shqiptarëve!

Fejzi Hajdari

Përfaqësuesi i BDI-së tani gjatë verës, hallin kryesor e ka: A të bëjë dy, a po tre pushime, kurse shqiptari ka hall mbijetesën nga muaji në muaj.
Përfaqësuesi i BDI-së ka hall të gjejë restorantin ku bëjnë specialitetet më të mira (biftek, peshk, fruta deti) për të kaluar një vikend, kurse shqiptarët kanë hallin se cilën ditë do u mbeten fëmijët të uritur.
Përfaqësuesi i BDI-së ka hall nëse të blejë këmishën “La Costa” 200 euro, ose “Hugo Boss” 300 euro, kurse familjet e dëshmorëve dhe invalidëve, nuk u kanë blerë këmisha fëmijëve të tyre tani dy vite.
Përfaqësuesit e BDI-së kanë hall, nëse doli apo nuk doli modeli më i ri i veturës Golf për t’ia bë dhuratë djalit (ose vajzës) për ditëlindje, kurse shqiptarët kanë hall si t’ua gjejnë nga një vend pune fëmijëve të tyre, edhe pse kanë kryer fakultetin me sukses më të mirë se fëmijët e përfaqësuesve të BDI-së.
Përfaqësuesit të BDI-së i duket e vjetër vetura (që e ka) prodhim i vitit 2017 ose 2018 dhe tani është në hall nëse veturën e re ta blejë Mercedes, Audi, BMW ose Range Rover në vlerë 50-60 mijë euro, deri sa shqiptarët mezi mbledhin 200 euro për ta regjistruar veturën e vjetër.
Përfaqësuesi i BDI-së ka hall sepse i është bë monoton ta kalojë tërë verën në vilën që e ka ble në Gjirin e Lalzit në bregdetin e Shqipërisë, prandaj, po kërkon të blejë edhe një tjetër në Sarandë, Vlorë, pse jo edhe në Antali. Shqiptari ka hall nëse edhe sivjet do t’i pikojë kulmi i shtëpisë gjatë dimrit, sikur i pikoi vitin e kaluar.
Përfaqësuesi i BDI-së ka hall të madh sepse mjeshtri shumë ngadalë po ia renovon “vikendicën në Shapkë” (ashtu i thonë zakonisht) dhe nëse nuk e renovon deri në vjeshtë, do të duhet të blejë një tjetër “vikendicë” në Mavrovë. Shqiptari ka hall nëse djali tij do të ikë sivjet në perëndim për jetë më të mirë, ose pranverën e ardhshme.
Siç po e shihni, halle të mëdha kanë përfaqësuesit e BDI-së. Këtu i numëruam disa, por ata kanë edhe shumë “halle” tjera. Nuk e kanë lehtë!. Prandaj të tregohemi solidarë, tua shkurtojmë këto halle më 15 korrik, dhe t’i dërgojmë në opozitë!