Fëmija 18 muajsh u dhunua në çerdhe, flet gjyshja: I merrej fryma kur erdhi, kishte shenja në fytyrë e fyt

Fëmija 18 muajsh u dhunua në çerdhe, flet gjyshja: I merrej fryma kur erdhi, kishte shenja në fytyrë e fyt

Një fëmijë 18 muajshe është dhunuar fizikisht në një prej kopshteve private në lagjen periferike numër 8 , “Çezma e Ferrës” në Durrës të shtunën e javës së shkuar. Ka qenë nëna e vajzës Merita e cila ka bërë edhe denoncimin në polici, ndërsa policia e Durrësit rastin e ka bërë publik vetëm të enjten e kësaj jave, duke thënë se u procedua penalisht G. D., 61 vjeç se në ambientet private të çerdhes ku ai punon ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije 18 muajsh.



Neës24 ishte në banesën e nënës së vajzës 18 muajshe. E mitura jetonte me nënën e saj dhe gjyshen në kushte të rënda ekonomike, pasi prindërit e vogëlushes ishin të divorcuar. Tre fryme jetojnë në një apartament me qira në katin e tretë e mbaheshin vetëm me pagën e nënës së foshnjës ndërsa ishin shumë të frikësuara, për të dalë para kamerës.

Rasti i dhunimit të një bebeje ka shokuar të madh e të vogël në lagje. Gjyshja e vogëlushes tregoi për News24 se ishte e dyta ditë në çerdhe kur vajza iu mbërriti me shenja dhune të dukshme në fytyrë edhe në trup pasi e la furgoni tek pallati ku jetojnë.

“Që të shtunën ka ndodhur, dita e dytë në çerdhe. Kishte shenja në fyt, në shpinë. Në kopsht janë dy edukatore dhe pastruesja. Vajza trembet natën”, tha gjyshja.

Gjyshja tregoi se nga 80 mijë lekë pronari ua kish ulur në 60 mijë në muaj, por vajza në shtepi mbërriti e rrahur. Ajo tha se ishin dy edukatore në grup dhe një pastruese. Gjyshja thotë se dyshojnë që njëra prej edukatorëve të ketë ushtruar dhunë ndaj mbesës së vogël.

Ishin tre në grup që mbajnë e kujdesen për fëmijët, dhe nuk ishte informuar për nisjen e procedimit penal të 61-vjeçarit Gëzim Dervishi. Edhe banorët e pallatit kanë mbetur të shokuar nga dhuna e ushtruar ndaj një fëmije 18 muajsh. “Fëmija po qante, i merrej fryma”, tregon një banor.

News24 zbuloi se 61-vjeçari është pronar i kopshtit privat. Në polici pas ekspertizës mjekoligjore, rezultoi se vogëlushja ishte dhunuar fizikisht dhe ushtrimin e dhunës e ka marrë përsipër 61-vjeçari.

News24 pyeti në bashkinë e Durrësit në lidhje me ushtrimin e kontrollit në këto institucione private. “Asnjë institucion vendor nuk ka tagër për të kontrolluar as kushtet, infrastrukturën apo ushqimin që iu jepet fëmijëve në kopshtet dhe çerdhet private. Bashkia kontrollon vetëm institucionet që ka në varësi. Çerdhet dhe kopshtet publikë. Privatët licencohen nga Ministria e Arsimit dhe po kjo ministri duhet t’i kontrollojë”. Më herët u kërkua vendosja e kamerave në këto institucione, por kjo kërkesë u harrua, ndërsa se çfarë ndodh brenda këtyre çerdheve dhe kopshteve private nuk e di askush.

“Fëmijët tanë janë në mëshirë të fatit dhe dallkaukëve që drejtojnë bizneset ku detyrohemi t’i çojmë për kushte më të mira”, tha një prind.