Fëmijët e prindërve që përdorin kanabis janë më të prirë për duhan, alkool e drogë

Fëmijët e prindërve që përdorin kanabis janë më të prirë për duhan, alkool e drogë

Sipas një studimi të ri, fëmijët e prindërve që kanë përdorur kanabis kanë dy herë e gjysmë më shumë gjasa për të pirë duhan e alkool dhe për të përdorur drogë sesa fëmijët e prindërve që nuk kanë përdorur substance narkotike.

Në kohën kur legalizimi i kanabisit po zgjerohet nëpër pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, njësoj po përhapet edhe përdorimi i tij nga të rriturit dhe fëmijët. Tash, rreth 12 për qind e personave mbi moshën 18-vjeçare dhe gati  6 për qind e nxënësve të shkollave të mesme kanë përdorur kanabis.

Gjetjet e këtij hulumtimi u publikuan në “JAMA Network Open” dhe janë të mbështetura në 24 mijë e 900 palë prindër e fëmijë. Më saktësisht, të dhënat janë të personave të rritur të moshës nga 18 deri 30-vjeçare dhe adoleshentët e moshës 12 deri 17-vjeçare.

Bertha Madras, profesoreshë në Shkollën Mjekësore të Harvard-it, tha: “Përdorimi i kanabisit tash dhe në të kaluarën nga prindërit është i lidhur me rritjen e rrezikut të përdorimit të kanabisit, duhanit dhe alkoolit nga fëmijët dhe adoleshentët që jetojnë në të njëjtën shtëpi me ta”.

Ajo tha se përdorimi i kësaj droge në moshë të re paraqet rrezik të madh për shëndetin. “Përdorimi i hershëm i kanabisit është i lidhur me shkallë të lartë të varësisë, dëmtim të aftësive njohëse, simptoma para-klinike dhe klinike të psikozave, skizofrenisë, depresionit, dëshirës për vetëvrasje dhe status të ulët edukativ”, shtoi psikologia Madras.

Ekipi i saj u mor me analizimin e të dhënave të marra nga anketat kombëtare për përdorimin e drogës në Shtetet e Bashkuara nga viti 2015 deri në vitin 2018, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

TAGS