Fëmijët me pengesa në zhvillimin trupor, vuajnë mungesën e terapisë përkatëse

Fëmijët me pengesa në zhvillimin trupor, vuajnë mungesën e terapisë përkatëse

Dhjetëra fëmijë me pengesa në zhvillim trupor përballen me mungesën e terapisë adekuate- e rritjes. Përfaqësuesit e shoqatës “Rast” e cila mbron personat që kanë probleme me rritjen thonë se në rastet e evidentuara është vënë re se për shkak të mungesës së terapisë përkatëse të fëmijët me pengesa në zhvillimin trupor kanë mbetur në gjendjen e njëjtë me fizik të pa zhvilluar. Maqedonia e Veriut nuk posedon regjistër kombëtar për këtë kategori, ndërkaq jozyrtarisht numri i fëmijëve të diagnostikuar është mbi 100.

Si shoqatë e cila gjithë kohës merr thirrje nga prindër, kemi informacione se minimum më shumë se 10 pacientë apo 20, në vazhdimësi përballen me barrierat se si fëmija i tij të arrijë sa më shpejtë deri te terapia e nevojshme. Kam informacione për një vajzë se është në pritje të terapisë vite të tëra, vajza tanimë është 14 vjeçe nëse nuk gaboj, dhe për fat të keq madje mendoj se për të rritja ka mbaruar. Ajo që është tek ne si traditë, nga 100 pacientë të cilët po trajtohen, pritet që ata të mbarojnë me terapi dhe në vendin e tyre të vijnë të tjerë – tha Aleksandar Petrovski, Shoqata “ Rast”.

Mjekët të cilët trajtojnë fëmijët të cilët kanë probleme të tilla thonë se në Klinikën e Fëmijëve në Shkup tanimë 20 vite bëhet ky lloj trajtimi. Megjithatë ata pranojnë se ka nevojë për përfshirje më të madhe me terapi të fëmijëve që kanë probleme të tilla.

Historikisht çdo herë na është dashur më shumë hormon, për më shumë fëmijë. Megjithatë për vend i cili ka 2 milion njerëz, trajtimi i 100 fëmijëve është numër impozant. Nuk kemi pasur raste që kemi lënë fëmijë të vegjël dhe nuk ju kemi dhënë hormon. Për gjithçka pritet, por dhe këto fëmijë ndonjëherë presin. Kur janë 5,6,7,8 vjeç nëse presin 6 muaj ajo nuk iu bën dallim të madh në rritjen e tyre. Sigurisht që është më mirë që sa më herët pas zbulimit të sëmundjes të filloni me terapi. Kur prindi do të vërejë se fëmija mbetet më pak i gjatë krahasuar me moshatarët e tij atëherë është momenti i vërtetë që të vijë dhe ta diagnostikojë sepse diagnoza është diçka që nuk bëhet brenda natës – u shpreh Zoran Guçev, Reparti i Endokrinologjisë Klinika për sëmundje të fëmijëve.

Muaj më parë Fondi Shëndetësor tha se fondet i kanë të kufizuar, duke bërë thirrje që edhe vetë Klinikat të cilat e trajtojnë këtë dukuri, të gjejnë mënyrën për të dedikuar më shumë para për trajtimin e të prekurve. Ekspertët shpjegojnë se trajtimi më i mirë tek fëmijët bëhet gjatë moshës nga 4 deri në 8 vjeç, ndërkaq pas moshës 14 vjeçe terapia nuk ka më kurrfarë efekti. Derisa këto fëmijë nuk trajtohen apo shërohen, atyre iu paraqiten sëmundje të zemrës, sëmundje të sistemit kardiovaskular, sulme në tru, depresion si dhe rritje të peshës trupore.

Vjollca Aliti

Loading…