Festa diplomatike në Strasbourg, Kosova në qendër të vëmendjes

Festa diplomatike në Strasbourg, Kosova në qendër të vëmendjes

Të shtunën më 18 maj, Komuna e Strasbourgut, qyteti i dytë diplomatik në Francë pas Parisit, selia e institucioneve të BE dhe KiE, me 200 diplomatë, 44 përfaqësi diplomatike e transformoi sheshin “Place du Château” pranë Katedrales madhështore Notre-Dame në një hapësirë multikulturore.

“30 konsullata të akredituara në Strasbourg, instaluan shtepizat (tendat) e bardha për ti prezantuar qytetarëve të Strasbourgut, gjithçka origjinale të vendeve që ata përfaqësojnë : pasuritë natyrore, kulturore, traditat, specialitetet kulinare. Një shëtitje e vërtete festive nëpër botë me kostume popullore, instrumente muzikore tradicionale, flamuj.

Në tendën e Kosovës u prezantuan artistja e punimeve te argjilës Agata Cetta, Kompania “Safrani&Co”, “Birra Peja”, vera “Stone Castle” si dhe Ansambli i valleve popullore “Pavarësia”.

Dashamirës, kureshtarë, bashkatdhetarë iu bashkuan shtëpizës kosovare përgjatë dites. Birrat ” Peja” dhe vera “Stonecastle” shoqëruan drekën e ekipit të Bashkisë së Strasbougut, në te cilën u ftua edhe Ambasadorja e Kosovës, Mimoza Ahmetaj”, thuhet në njoftimin për media.

Kryetari i Komunes, Roland Ries, në fjalën e tij e cilësoi këtë festë në mënyrë simbolike “dialog me botën”. Ai shkëmbeu një bisedë të përzemërt me ambasadoren Ahmetaj dhe tha se : “Synon që kjo ngjarje te jetë tradicionale. Prania e kaq shumë përfaqësive diplomatike tregon për interesimin dhe bashkëpunimin e mirë të dyanshëm në mes te qytetit dhe shteteve përfaqësuese: .

“Një moment tejet festiv u krijua nga vajzat valltare të grupit “Pavarësia” të cilat ndezën sheshin qendror për 20 min. Publiku i entuziazmuar iu bashkua valles, duartrokitje pafund madje edhe insistim për ta ripërsëritur performancën!

Një progres i shënuar ky në rritjen e kapitalit të simpatisë për Kosovën në këtë event, manifestim i diplomacisë kulturore si një nga format më efikase për të ndërtuar ura mes popujve”, thuhet më tej në njoftimin për media.

Ngjarja u përcoll edhe nga mediat në krahinën e Alcase me tituj të cilët përshkruanin ngjarjen si një takim të rëndësishëm kulturash dhe në fotot illustruese vendin e nderit e mbanin vajzat valltare kosovare. /Telegrafi/

TAGS