Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pret që në periudhën e ardhshme të sillet vendimi përfundimtar për mënyrën në të cilën do të financohet ndërtimi i Qendrës klinike.
Ai sot në Shtip duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve deklaroi se në Ministrinë e Financave vijon vlerësimi i të dyja mënyrave të financimit – përmes bankave komerciale ose përmes bankave zhvillimore.
“Bankat komerciale kanë procedura të cilat udhëhiqen sipas ligjeve tona, ndërsa bankat zhvillimore kanë veprime të cilat udhëhiqen sipas ligjeve të tyre gjegjësisht ligjit të Bankës Botërore, siç është financimi i Spitalit në Shtip. Në periudhën e cila vijon, besoj se do të sillet vendim përfundimtar se në cilën mënyrë do të bëhet financimi që ne në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë të mund të vazhdojmë procedurën tashmë të filluar të dialogut konkurrues, gjegjësisht të hapim fazën e dytë të negociatave me operatorët ekonomikë të cilët tashmë konkurruan dhe ishin zgjedhur”, deklaroi Filipçe.
Ai beson se së shpejti do të fillohet me punë në teren, ndërsa para vendosjes së gurthemelit, siç sqaroi, i paraprijnë shumë punë të tjera për çka tashmë i janë ndarë mjete komunës së Gjorçe Petrovit.
Sa i përket ndryshimit të projektit për Spitalin e Shtipit, Filipçe bëri të ditur se procesi i revizionit zyrtarisht ka përfunduar dhe se së shpejti pritet intensifikimi i punëve.
“U akuzuam se ka diçka në kundërshtim me ligjin. Më duhet të them se kjo absolutisht është e pavërtetë. I apeloj opozitës që të mos përhap të pavërteta. E vërteta është se është lejuar të ketë një formë të tillë të variacionit i cili nuk do të tejkalojë 50 për qind të shumës totale të projektit, ndërsa kjo konkretisht është 24 për qind. Në periudhën që vijon duhet që ato variacione të nënshkruhen nga të gjitha palët që të mundet të fillohet me punë atje ku mbetëm, gjegjësisht atje ku kishte mungesa në projekt”, tha Filipçe duke shtuar se në ndërkohë ishte punuar në punë për të cilat nuk nevojitej revizion siç është fasada ose punë më të vogla.
Një pjesë e projektit, siç theksoi Filipçe, do të jetë edhe ndërtimi i bunkerit në të cilin duhet të vendoset përshpejtuesi.