18 Nëntor 2018 / 17:11
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk shprehet optimist se deri në vitin 2020 Qeveria do të përmbush premtimin e dhënë për rritjen e pagave të mjekëve deri në 100.000 denarë. Në një intervistë për ALSAT ai flet edhe për vaksinat sezonale kundër gripit, për të cilat shumë qytetarë janë ankuar se ka pasur mungesë të së njëjtave. Ndër të tjera Filipçe thotë planifikon debat publik me mjekët dhe ekspertët lidhur me partneritetin publiko – privat të shërbimit të Ndihmës së Shpejtë!
Ditë më parë Ministria e Financave publikoi propozim-buxhetin për vitin 2019 i cili parasheh 10% rritje të pagave të mjekëve. Pesë përqind tjera rritje kishe në shtatorin që kaloi dhe 10% do ketë në vitin e ardhshëm. Sa është reale kjo rritje e përqindjes kur dihet se premtimi i Qeverisë ka qenë që deri në vitin 2020 paga e mjekëve të arrijë deri në 100,000 denarë apo 1600 euro. Sa mendoni se me këtë tempo të rritjes së rrogave do të përmbushet premtimi i Qeverisë?
Bëhet fjalë për rritje të pagës për 10% për mjekët specialistë në filluim të vitit të ardhshëm. Kemi bërë dhe ende po bëjmë hapa që të shohim nëse mundet edhe ndonjë përqindje tjetër të marrim, por besoni se me të vërtetë është shumë vështirë sepse duhet të mbështeten edhe shumë sektore tjera por me të vërtetë theksi është vënë tek Shëndetësia. Vazhdojmë edhe në 2020 të përmbushim premtimin, dhe ai është pagë prej 100,000 denarësh”.
Unioni i Infermiereve kanë reaguar lidhur me parashikimin e buxhetit, ata kërkojnë që të jenë të përfshira në këtë rritje të buxhetit. Derisa po vërehet një ikje e dukshme e tyre në vendet Evropiane posaçërisht në Gjermani, përse po anashkalohen kërkesat e tyre si rritje e kontributit dhe rregullimi i statusit të tyre juridik?
Do të shohim si do të rrjedhin bisedimet me ministrinë e Financave shpresoj që nga fillimi i javës së ardhshme do të kemi informacione të sakta nëse do të mund ta bëjmë një gjë të tillë. Ndryshe, apsolutisht pajtohem se ata, personeli mjekësor, motrat medicinale janë njëra nga shtyllat e sistemit tonë shëndetësor. Puna e tyre nëpërkëmbet, për punën e tyre me të vërtetë paguhen shumë pak, sado që të duam të bëjmë më shumë nuk mundemi sepse mjetet i kemi të kufizuara, por këtu i kemi prioritet dhe shpresojmë se do ia dalim.
Tanimë një javë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal. Ka ankesa nga qytetarët se në disa prej qyteteve të vendit ka mungesë të vaksinave. Cila është situata reale me vaksinat, a ka mjaftueshëm sasi të tyre dhe sa do të zgjasë afati për dhënien e të njëjtave?
Interesi është shumë i madh, madje 100% e vaksinave komerciale u harxhuan në dy – tre ditët e para. Ne në këtë moment bëjmë shpërndarje dhe një pjesë të këtyre vaksinave pa pagesë do t’i distribuojmë nëpër Qendrat e Shëndetit Publik. Ndërkohë, me aukcionin bëmë kursime, mundohemi që me paratë që kanë mbetur të sigurojmë sasi plotësuese të vaksinave, edhe pse është e vështirë me të vërtetë sepse kompanitë bëjnë planifikim shumë kohë më herët, unë besoj se do t’ia dalim.
Ditëve të fundit debat të ashpër ka nxit edhe çështja e privatizimit të Ndihmës së Shpejtë. Si mendoni të zgjidhet kjo çështje dhe a planifikon ministria e Shëndetësisë debat publik me mjekët dhe ekspertët e fushës mbi këtë çështje?
Bëhet fjalë për modelin e partneritetit , që paratë të cilat i investojmë në Shëndetësinë Publike për menaxhim më të mirë bashkë me partner privat i cili nga ana e tij mund të sjellë ekspertizë por dhe sistem më të mirë, do të mund të shfrytëzohen shumë më mirë dhe do të ketë efekt më shumë. Më me efikasitet do të harxhohen paratë e njejta që harxhohen tani. Besoni se në ato vende të Evropës ku është praktikuar ky model shumë mirë ka funksionuar, dukshëm është përmirësuar edhe shërbimi edhe kualiteti i mbrojtjes shëndetësore.Ky nuk është model me të cilin ne do shpejtojmë, por ka mekanizma me të cilat do të vërtetojmë nëse ata do të japin efekt të menjëhershëm dhe a do ta ndjejnë qytetarët këtë reformë.
Sa i përket kaosit të krijuar në Qendrën Klinike. Njëra nga dy garazhet do të jetë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe tjetra do të jetë afër Klinikës për sëmundje infektive. Ka reagime të ashpra për ngritjen e tyre në ato lokacione. A do të ndryshohet plani për këtë ?
Në fillim të javës së ardhshme kemi mbledhje me Qytetin e Shkupit, parkingjet e qytetit dhe përfaqësues të MPB-së sepse kemi rrugë të cilat kohëve të fundit janë të bllokuar. Punojmë në gjetjen e një zgjidhjeje edhe në lirimin e rrugëve jo vetëm të parkingjeve në kate. Varësisht nga bisedat me ekspertët, ne do të sjellim vendim, sigurisht që nuk do të shpejtojmë”.
Vjollca Aliti
Loading…