Filloristët vizituan Gjykatën për Ditën e Kushtetutës

Filloristët vizituan Gjykatën për Ditën e Kushtetutës

Nxënës të shkollave fillore nga qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës vizituan Gjykatën Kushtetuese të hënën, më 8 prill 2019, me rastin e shënimit të 11-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, e miratuar më 9 prill 2008.

Sipas njoftimit për media, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, u shprehi mirëseardhjen duke i njoftuar në pika të shkurtra me funksionin dhe rolin me rëndësi që ka Gjykata Kushtetuese, për sundimin e ligjit në vend si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, sipas standardeve evropiane.

Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim i njoftoi filloristët edhe me strukturën organizative të Gjykatës dhe përbërjen e saj, me procesin e zgjedhjes dhe mandatin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe me procedurat e shqyrtimit të kërkesave të parashtruara.

Në njoftim thuhet, se ajo foli edhe për procesin e hartimit të Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës, si dhe për rëndësinë që ka ky dokument jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend, por edhe për të gjitha proceset e zhvillimit demokratik të shoqërisë tonë.

Sipas komunikatës, kryetarja Rama-Hajrizi në përmbyllje të takimit u dhuroi atyre nga një kopje të Kushtetutës, me urimin që gjithë së bashku ta respektojnë dhe të zbatojnë çdo nen të saj, për të siguruar një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja.

Vizita e nxënësve u realizua nën organizimin e përbashkët të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Programit për Transformim të Lidershipit (TLP) të Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID)./Telegrafi/

TAGS