Alsat 2019-10-14T15:35:21+02:00
Presidenca finlandeze në koordinim me Komisionin Evropian do të propozojë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut ndërkohë që do të përgatitet metodologjia e re për procesin e anëtarësimit, të cilën e kërkon Franca. Burime nga qeveria thonë se ky është një kompromis të cilin Finlanda, si vend që kryeson me presidencën e BE-së, do ta vendosë në tavolinë para vendeve anëtare sot në takimin e ambasadorëve por edhe nesër në takimin e ministrave të Jashtëm. Propozimi parashikon që negociatat të fillojnë para fundit të presidencës kroate, që do të thotë para muajit qershor të vitit të ardhshëm, ndërkohë që do të përgatitet dhe do të miratohet metodologjia e re.
Ky propozim vjen pasi Franca së fundmi ka kërkuar që të mos fillohen negociata për anëtarësim me asnjë vend aspirant deri në përpilimin dhe miratimin e një metodologjie të re për procesin, gjegjësisht deri në mars. Kjo metodologji do të duhet të parashikojë edhe procesin e kthyeshëm, gjegjësisht, rihapjen e një kapitulli edhe pas mbylljes së tij, nëse konstatohet përparim i pakënaqshëm ose regres. Është e paqartë akoma nëse Franca dhe vendet tjera anëtare do ta pranojnë këtë propozim, i cili vlen edhe për rastin e Shqipërisë, me tre kritere shtesë që do të duhet t’i plotësojë Tirana para fillimit të negociatave. Presion ndaj Francës për të dhënë miratim ka ushtruar një ditë më parë në takimin me Presidentin Emanuel Makron, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, raportojnë mediat e huaja.
Takimi i ambasadorëve të vendeve anëtare do të mbahet sot pasdite. Në Luksemburg tashmë kanë arritur edhe ministrat e Jashtëm të cilët nesër do të diskutojnë edhe për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Konkluzionet nga takimi i ministrave do të ridiskutohen të premten në takimin e kryeministrave dhe presidentëve. Ministrat e Jashtëm të Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë me një letër të hapur ftojnë vendet anëtare për të shtyrë Ballkanin përpara me dhënien e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Letra e ministrave të Jashtëm
Është e rëndësishme të theksohet se të dy vendet kanë përmbushur kriteret që BE-ja i vendosi për to, duke realizuar reformat të brendshme të ndërlikuara.
Një vendim pozitiv do të jepte një sinjal të qartë se BE-ja i vlerëson rezultatet konkrete në arritjen e kushteve që ka vendosur. Kjo do t’i japë rajonit një impuls të freskët për reforma dhe transformim të mëtejshëm…
BE-ja do të riafirmojë angazhimin e saj për qëndrueshëmri, siguri dhe prosperitet të rajonit, gjithashtu do ta pranojë faktin që vetëm nëpërmjet integrimit të Ballkanit perëndimor, BE-ja mund të jetë e plotë dhe me interesa afatgjate mirë të mbrojtura.
Vendet anëtare gjatë ditës së sotme do të diskutojnë edhe për tema të tjera të cilat kryesojnë listën për nga rëndësia që u japin, si situata në Siri, aktivitetet ushtarake turke dhe gjendja në Qipro.
Fatlume Dervishi
Loading…