Flet prindi i Tianit: Veç Zoti që e ka ruajtur djalin, mbrëmë ka fjetur në pyll

Flet prindi i Tianit: Veç Zoti që e ka ruajtur djalin, mbrëmë ka fjetur në pyll

Tian Krasniqi, 2 vjeçar, nga fshati Tërpeza e komunës së Malishevës kishte dal dje nga shtëpia në ora 18:30, i cili humbi rrugën për t’u kthyer atje.

Ai mbrëmë e kaloi natën në një pyll, 600 metra, larg shtëpisë së prindërve të tij.

Vogëlushi nga Malisheva është gjetur shëndosh e mirë sot në ora 11:45 nga një grup vullnetarësh që janë organizuar për kërkimin e tij.

Babai i Tianit, Bujar Kransiqi, për IndeksOnline ka rrëfyer se si ka ndodh ngjarja ku djali 2 vjeçar u largua nga shtëpia.

Krasniqi ka treguar se gjendja shëndetësore e Tianit është e mirë, me disa shenja të lehta në trup.

Ai tha se u angazhuan mbi 300 persona vullnetarë për të ndihmuar në gjendjen e djalit të tij.

“Të gjitha kontrollat mjekësore kanë dalë mirë për djalin, e kemi kontrolluar edhe në Prishtinë, tash e kemi në shtëpi për momentin, mirë është, i ka disa grritha por është shumë mirë.

Mbrëmë rreth 18:30 ka dal nga shtëpia e më s’kemi marrë vesh asgjë, deri sot në 12:00.

Kogja thellë ka qenë vendi ku e kanë gjetur Tianin, vetëm Zoti atje nalt që e ka pas deri në mëngjes, e është zgju e ka thirrë tri herë mam, mam, mam e kanë dëgju qytetarët e vetëm kur i ka shku njërit rrugës tu e kërku, para këmbëve.

Natën kish pas flejt aty në pyll”, tha ai.

Prindi i vogëlushit ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit që kanë ndihmuar në gjetjen e Tianit.

“Udhëheqja e organizimit për gjetjen e djalit ka qenë shumë mirë e organizuar, kanë qenë mbi 300 qytetarë nga Trepezi, ka pas policë e FSK-ja edhe një organizatë nga Prishtina, krejt janë kanë perfekt, ku kanë kontrolluar në secilin cep, i falenderoj të gjithë për këtë ndihmë që ia ka vlejt me bë për një fëmijë të vogël”, tha ai.

Për rastin ka deklaruar edhe Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Malishevë, me datën 21.08.2020 në ora 20:20 Stacioni Policor në Malishevë përmes telefonit është njoftuar nga personi mashkull kosovar (prindi) se fëmija i tij i lindur më (2018) i gjinisë mashkull, me iniciale ( T.K) ishte larguar nga shtëpia para dy orëve në drejtim të panjohur.

Dyshimet fillestare ishin se fëmija ka hyrë në malin që gjendet afër shtëpisë në fshatin Tërpezë- Komuna e Malishevës.

Sipas ankuesit janë bërë kërkime në shtëpi dhe përreth por nuk është hasur fëmija.

Po ashtu në operacion janë angazhuar Ekipi për Kërkim Shpëtim nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ekipi për kërkim shpëtim nga Zjarrfikësit komunal, si dhe kanë dal në vend ngjarje edhe Nënkryetari i komunës dhe Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim nga KK-Malishevë si dhe banorët e shumtë të fshatit Tërpezë dhe fshatrave tjera së bashku me grupin e vullnetarëve janë vënë në kërkim të fëmijës të humbur”, kanë thënë nga policia e Kosovës”.

TAGS