Nobelisti shqiptar me prejardhje nga Gostivari Ferid Murad sot është nderuar me çmimin e doktorit të nderit të Universiteti Nënë Terezë në Shkup.
Rektori Aziz Pollozhani përveç kontributit të nobelistit Murad në sferën e shkencë dhe arsimit vlerësoi edhe vizitën e tij, e cila ka fuqinë për të motivuar studentët dhe pedagodët e Universitetit më të ri në Maqedoni.
“Përtej kontributeve tuaj tani më të njohura, këtë kontribut ta konsiderojmë edhe si kontribut themelues të këtij institucioni për çka gjeneratat që vijnë do të jenë mirënjohës’’, deklaroi Pollozhani.
Nobelisti Ferid Murad uroi hapjen e universitetit të ri dhe vlerësoi përparimin e Maqedonisë viteve të fundit.
“Kjo është vizita ime e katërt në Maqedoni, në 20 viteve e kaluara. Dhe çdoherë bëhet më mirë. Është e mahnitshme se si ka ndryshuar qyteti nga vizita e fundit, me ndërtimet e reja dhe me universitetin e ri dhe mendoj se e keni mundësinë, nëse shkon gjithçka siç duhet të trajnoni Nobelistin e tretë në Universitetin tuaj, tha Murad në fjalimin e tij.
Ministri i ri i Arsimit Arbër Ademi, u zotua para nobelistit Murad se do të punojë me përkushtim për zhvillimin e arsimit në vend.
Nobelisti me famë botërore Ferid Murad, është shtetas amerikan me prejardhje nga një familje shqiptare prej Gostivari. Ai në vitin 1998 ka marrë Çmimin Nobel në fushën e Fiziologjisë dhe Mjekësisë. Ligjeron në universitetet më të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është anëtar i Akademisë Nacionale të Shkencave në SHBA.
Arbnora Memeti
Almakos.com