Fotot e rralla të Teatrit Kombëtar në shkurtin e ‘46-ës me fasadën ballore dhe ballkonin që nuk është më

Fotot e rralla të Teatrit Kombëtar në shkurtin e ‘46-ës me fasadën ballore dhe ballkonin që nuk është më

Publikohen dy foto të rralla të Teatrit Kombëtar që i përkasin shkurtit të vitit 1946, kur aty zhvillohej gjyqi ndaj ish-pjestarëve të Regjencës në periudhën e pushtimit gjerman të vëndit, si Padër Anton Harapi, Maliq Bushati dhe Lef Nosi, të cilët akuzoheshin si “armiq të Popullit”.

Ne to dallohet qartë sheshi para hyrjes kryesore të asaj godine, që është mbushur nga qindra banorë të kryeqytetit dhe kureshtarë që ndiqnin seancat e atij gjyqi, si dhe fasada ballore e godinës e cila ka pësuar ndryshime të shumta nga ndërhyrjet që i janë bërë asaj ndër vite…

Në shkurtin e vitit 1946, pas disa muajsh hetuesie, regjimi komunist i Enver Hoxhës nxorri në gjyq tre ish-pjestarë të Regjencës, Patër Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq Bushati, të cilët akuzoheshin si “armiq të popullit” dhe “kriminelë lufte” për arsye të funksioneve të larta që ata kishin mbajtur dhe ushtruar gjatë pushtimit gjerman të vëndit nga shtatori i ’43-it deri në mbarimin e Luftës në nëntorin e ’44-ës.

Gjyqi-i-Regjenteve.-1946-1

Ndërsa historia e tyre dhe e atij gjyqi që i dënoi me vdekje, me pushkatim, dhe ekzekutimin diku në vëndin e quajtur Kodra e Priftit në 14 shkurt të atij viti, tashmë është e njohur, me interes janë këto foto të rralla që Memorie.al publikon për herë të pare, pasi aty duket godina e Teatrit Kombëtar, e cila prej afro dy vitesh ka qenë dhe mbetet në qëndër të vëmëndjes për shkak të vendimit të qeverisë për ta shëmbur atë ndërtesë dhe kundërshtisë që ajo ka hasur nga një komunitet i madh aktorësh dhe artistësh të përfaqësuar nga Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe qindra e qindra mbështetës të tyre,nga banorë të kryeqytetit.

gjyqi-nosi-harapi-bushati2

Gjë e cila ka bërë që koj  godinë t’i rezistojë deri më sot vendimit të qeverisë si dhe gjithashtu tërmetit të fortë të 26 nëntorit dhe atyre që pasuan atë. Siç duket qartë dhe nga dy fotot në fjalë, nga godina e Teatrit Kombëtar që asokohe shërbente edhe si kinema, ku po zhvillohej gjyqi ndaj “armiqëve të popullit”, dallohet vetëm një pjesë e vogël e fasadës ballore të saj, si dhe sheshi përballë i cili nxin nga shumë banorë të kryeqytetit dhe kureshtarë që ndiqnin seancat e atij gjyqi të bujshëm, për shkak të funksioneve të larta që kishin mbajtur të pandehurit që “gjykoheshin” aty.

Mes turmës së madhe të popullit që po ndjek me vëmëndje daljen e të pandehurve nga salla e gjyqit dhe “sistemimin” e tyre në një kamion të mbuluar nën shoqërinë e rojeve të shumta, (ku dy syresh po ndihmojnë Patër Antonin për të hipur në kamion) duken më së shumti ushtarakë të armatosur që siguronin “mbarëvajtjen e seancave”, intelektualë, fshatarë me qeleshe të bardha, shitës ambulantë me tezga në krah, punëtorë  me vegla pune në supe, fëmijë të vegjel, etj.,

Ajo që vihet re nga kjo pjesë e godinës së Teatrit, që duket qartë në të dy fotot, është fasada ballore me ballkon  mbi dy dyert kryesore të hyrjes së Teatrit, i cili tashmë nuk ekziston, pas ndërhyrjeve që i janë bërë atij ndër vite. Po kështu ndërhyrje të shumta kanë pësuar edhe pjesë të tjera të fasadës ballore, që nga dy dyertë kryesore dhe pjesa e muraturës e kornizat në të dy anët e tyre, gjë e cila dallohet qartë në të dy fotot ku në të majtë të tyre, dallohen edhe një pjesë të godinave e banesave që gjithashtu kanë pësuar transformime rrënjësore në këto 75 vite, apo nuk ekzistojnë fare dhe prej tyre tashmë kanë mbeutur vetëm këto imazhe që duken në këtë foto./Memorie.al