Fox News: Trump po kërkon marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë

Media amerikane “Fox News” i ka kushtuar një artikull Kosovës, në veçanti bisedimeve që janë duke u zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Administrata e Trumpit është duke punuar që të shënojë atë që shpreson të jetë një fitore tjetër e politikës së jashtme, duke inkurajuar liderët nga Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë marrëveshjen për paqe në një ceremoni që mund të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Telegrafi.

Një burim ka konfirmuar për “Fox News” një raport ku thuhet se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më herë kishte udhëtuar në Gjermani ku ishte takuar me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, për të diskutuar një marrëveshje që do të ulte tarifat ndaj mallrave serbe dhe gjëra tjera në përgjithësi që do të qonin drejt uljes së tensioneve.

Siç raporton ‘Fox News’, problemet midis Kosovës dhe Serbisë së fundmi janë tensionuar aq shumë sa që disa frikësohen se një konflikt i armatosur mund të ndodh.

“Presidenti Trump ua ka bërë të qartë rrugën drejt marrjes së mbështetjes së madhe amerikane si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka deklaruar një zyrtar amerikan për “Fox News”.

“Ai dëshiron që ata të arrijnë një marrëveshje të pajtueshme. Derisa të dy palët pajtohen, ai do ta mbështesë atë. Për dallim nga qëndrimi evropian, sa i përket SHBA-ve gjithçka është në tavolinë”, ka shtuar zyrtari amerikan.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar edhe më shumë që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, nëntë vite pas sulmeve ajrore të NATO-së që e detyruan Serbinë të largohet nga Kosova.

Takimi i Thaçit me ambasadorin amerikan në Gjermani, Grenell, që është ish-zëdhënës i delegacionit të SHBA-ve në OKB dhe njëherit ekspert i politikës së jashtme e njohës i mirë i situatës Kosovë-Serbi, ka ndihmuar që profili i kësaj çështje të rritet. Grenell konsiderohet si njeriu i besueshëm i Trumpit në Evropë që ka qasje të efektshme në Shtëpinë e Bardhë.

Trump së fundmi u kishte dërguar letra presidentit Thaçi dhe Vuçiq, ku u kërkonte të përshpejtojnë negociatat në një përpjekje të zgjidhin bllokadën. Siç kishte raportuar fillimisht ‘Washington Post’, Thaçi dhe Vuçiq kishin bërë publike letrat që i kishin pranuar nga Trump.

Në një deklaratë dhënë për Washington Post, Grenell ka deklaruar se ai dhe Thaçi kanë “folur për rëndësinë e marrjes së vendimeve afatgjate e jo për reagimet në afatshkurtër.

“Isha i lumtur që ai u pajtua dhe u angazhua që të punojë për t’i dhënë fund tarifave të vendosura së fundmi mbi produktet serbe”, ka shtuar Grenell për ‘Washington Post’.

“Ky veprim do të ndihmonte në dërgimin e sinjaleve të drejta se ai është serioz në lidhje me negociatat, dhe se me këtë ndihmon në krijimin e besimit mes palëve”, ka shtuar Grenell.

Sjellja e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë do të shihej si një arritje e madhe. Armiqësia e thellë mes serbëve dhe kosovarëve që janë shqiptarë dhe kryesisht myslimanë, daton shekuj më parë.

Një ekspert ka mirëpritur vëmendjen e rritur amerikane ndaj çështjes Kosovë-Serbi, në veçanti në kuadër të kornizës më të madhe të Ballkanit.

“Tensionet në rritje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mënyra se si Serbia dhe Rusia punojnë së bashku për të nxitur paqëndrueshmëri në Bosnjën fqinje, paraqet rrezik të vërtet për paqen rajonale”, ka deklaruar Daniel Baer, këshilltar për politikë të jashtme të SHBA-së.

“Ofrimi i Shtëpisë së Bardhë si një ambient po ofron karotë të madhe, por nëse administrata mund ta përdorë këtë karotë për të arritur paqe mes Serbisë dhe Kosovës, përfshirë njohjen e Kosovës nga Beogradi, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”, ka shtuar Baer. /Telegrafi/

TAGS