FSHF merr nesër në pyetje Halilin dhe Kapllanajn

FSHF merr nesër në pyetje Halilin dhe Kapllanajn

Trukuesve po u vjen ora për gjykim. E tillë mund të jetë shprehja që i shkon për shtat hetimit të ngritur në FSHF për ndeshjen e dyshuar si e trukuar, BylisTirana, gjysmëfinalja e parë të Kupës së Shqipërisë.

“Panorama Sport” ka mësuar se ditën e enjte në orën 13:00 do të zhvillohet seanca e parë e deponimeve mbi këtë takim. Gazeta ka mësuar se u janë dërguar thirrjet për deponim presidentit të Tiranës, Refik Halili, si dhe atij të ekipit të Bylisit, Besnik Kapllanaj.

SEANCA: Dyshimet e krijuara për ndeshjen mes Bylisit dhe Tiranës do të kalojnë në sitën e Komisionit të Etikës. Pasi është përpiluar një dosje nga oficeri i integritetit si dhe trupa juridike që po merret me çështjen, ditën e enjte në mesditë do të nisë seanca e deponimeve në Komisionin e Etikës.

Krerët e dy klubeve mësohet se do të duhet të japin versionin e tyre për çfarë ka ndodhur në takimin në fjalë, në bazë edhe të dyshimeve të ngritura për këtë 90-minutësh. Nuk përjashtohet mundësia që në vijim, në varësi edhe të hetimeve dhe vendimeve të komisionit, çështje e cila është në zhvillim në çdo moment, të ketë edhe lojtarë apo pjesëtarë të tjerë të të dyja skuadrave që do të thërriten para anëtarëve të Komisionit të Etikës.

SINJALIZIMI – Për këtë ndeshje pati sinjalizime nga UEFA, me anë të kompanive të kontraktuara prej saj se kishte luhatje të çuditshme të basteve. Madje, gazeta nga burime të besueshme në FSHF ka mësuar se këto sinjalizime kanë mbërritur që në fund të pjesës së parë dhe kanë vënë në lëvizje institucionin e futbollit për të kontaktuar me shpejtësi me drejtuesit e klubit bardheblu mbi rrezikshmërinë e asaj që pritej të ndodhte. FSHF – Pas dyshimeve të ngritura mbi Bylis-Tirana, erdhi edhe reagimi zyrtar i FSHF-së. Në reagimin zyrtar, institucioni i futbollit reagoi me nota kërcënuese.

“FSHF njofton se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis-Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania ‘Sport Radar’ nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim. Federata bën me dije se ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do të ketë vendimmarrje, në rast se do të ketë prova. Klubet do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen”, ishte ndër të tjera reagimi i FSHF-së.