S A 2019-04-16T15:13:05+02:00
Fushata zgjedhore, përveç kritikave dhe sulmeve verbale ndërmjet kandidatëve për president, është karakterizuar edhe me përplasje dhe gafa mes vetë liderëve të partive politike si dhe mes liderëve dhe kandidatëve. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nga Saraji ka porositur oponentët e tij politik të mos merren vetëm me atë dhe me ironi ka shtuar se Blerim Reka nuk ka gjasa të bëhet president.
Nga mëngjesi deri në darkë nuk dinë gjë tjetër, vetëm Ali Ahmeti, Ali Ahmeti, Ali Ahmeti. Unë ju them, ore rrofshi e qofshi por merrni nga një libër dhe lexoni. Lexoni pak diplomacinë, lexoni pak politikën, lexoni pak historinë. Po mirë more z. Blerim Reka, pse ti këtij shteti ja merr paratë, aq qef që i ka? Po mos i merr, se ata janë para që më herët i kanë bërë maqedonasit. Ai guvernatori maqedonas është. “Ne do bëjmë të pabërën në këto hapësira”. “Si të bëhem unë president?”, thotë. Kjo është si të bësh petulla në ujë.- u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
Krerët e dy partive politike, ai i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, dhe ai i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, gjatë tubimit në Gostivar, kanë drejtuar kritika, kryesisht për partinë shqiptare në pushtet.
Kur them kundërshtarët e realtë politik, nuk u llogaris juve jo, por llogaris bllokun politik maqedonas dhe e dini çfarë bënte kryeministri Zoran Zaev? Nxirrte Bujar Osmanin që ne kur kërkonim që gjuha shqipe të quhet gjuhë shqipe dhe jo gjuhë që e flasin mbi 20% e popullsisë dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja, Bujar Osmani thoshte se këtu ka një dorë të zgjatur.”- theksoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët
Në një rast e dëgjuam që tha se unë e kam bërë profesorin Blerim Reka por harroi se Reka ka qenë këtu kur edhe Aliu s’ka qenë këtu. Ai ka punuar për çështjen shqiptare kur Aliu nuk e ka ditur ku është.”- deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa
Edhe liderët politik maqedonas gjatë fjalimeve të tyre kanë qenë ironik në drejtim të njëri-tjetrit por edhe në drejtim të kundërshtarëve nga palët e treta. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev ka krahasuar vendin me një ushqim tradicional të Kumanovës.
Unë do të përmend një ushqim tradicional këtu, quhet mezëllëk kumanovar. Të gjithë e dimë se është ushqim i mirë. Bukuria është në atë që përbërjet janë të ndryshme brenda dhe shumë mirë plotësohen. Ashtu është edhe vendi jonë; i bashkuar nga dallimet. Madje as Blerim Reka. E vlerësoj njeriun por e shoh se hyn në filma partiak. Nuk i duhet kjo. E fton vetëm etninë shqiptare. Nuk i duhet kjo. Ne jemi së bashku.- tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka kritikuar kundërkandidatin e Gordana Siljanovskës, Stevo Pendarovskin, për ngjashmëri me Zaevin.
Ky objekti i tij i cili i ulet në prehër, vetë ka thënë se është 102.5 % i njëjtë si Zaevi. Kjo është monedhë e njëjtë me fytyrë dhe kurriz të njëjtë.- pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së
Fushata zgjedhore përfundon mesnatën mes të premtes dhe të shtunës pas çka fillon heshtja zgjedhore.
Fatlume Dervishi
Loading…