Genoa ia shkakton humbjen e parë Juventusit në Serie A

Genoa ka marrë një fitore të madhe pasi ka mposhtur kampionin në fuqi Juventusin me rezultat të pastër 2-0.

Trajneri Massimiliano Allegri kishte vendosur që t’i pushojë disa nga lojtarët kryesorë si Ronaldo, Chiellini, Matuidi e Bernardeschi.

Pjesa e parë ishte e qetë me Juventusin që luante kujdesshëm në mbrojtje.

Rastin më të mirë e pati Antonio Sanabria i vendasve por që goditjen e tij e priti Perin.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

(Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Me të filluar pjesa e dytë Paulo Dybala rrezikoi nga gjuajtja e lirë por intervenoi mbrojtja mysafire për ta dërguar topin në këndore.

Kampioni i Italisë shënoi në minutën e 51-të me Dybalan, por që VAR e anuloi golin e argjentinasit për pozitë jashtë loje.

Golin e parë vendasit e shënuan në minutën e 72-të të ndeshjes, kur ish-lojtari i Juventusit, Stefano Sturaro realizoi nga distanca për 1-0.

(Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Vetëm nëntë minuta më vonë Genoa realizoi edhe një gol tjetër dhe të fitores.

Kouame asistoi për mrekulli tek veterani Goran Pandev i cili me një goditje të fortë mposhti portierin mysafir Perin për ta vulosur fitoren e Genoas.

Kjo ishte humbja e parë këtë edicion për kampionin në fuqi të Italisë pas 28 ndeshjeve.

Pas këtij triumfi, Genoa ngritët në pozitën e 12 në tabelë me 33 pikë të grumbulluara, ndërsa Juventus mbetet komod në pozitën e parë me 75 pikë pas 28 javëve.

Ndeshjen e radhës Genoa do ta luaj në udhëtim te Udinese, ndërsa Juventusi do të jetë nikoqir i Empolit. /Telegrafi/

TAGS