Zyrtarët policorë në Afganistan kanë njoftuar se së paku gjashtë persona janë vrarë nga një shpërthim që ndodhi në qendër të kryeqytetit të këtij shteti, Kabul.
Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për këtë sulm të përgjakshëm.
“Jemi duke zhvilluar hetime nëse ka qenë sulm vetëvrasës apo nëse një bombë magnetike është vendosur në një motoçikletë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nasrat Rahimi.
Në një incident tjetër, 24 persona u vranë në një shpërthim gjatë fushatës zgjedhore të presidentit afgan, Ashraf Ghani.
Komandantët talibanë janë zotuar se do t’i shtojnë përleshjet me forcat afgane për ta bllokuar procesin e votimit në zgjedhjet e 28 shtatorit, në të cilat presidenti i tanishëm po e kërkon mandatin e dytë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.