Gjilan, muajt e fundit rritje e veprave penale “Grabitje” dhe “Dhunë në familje”

Gjilan, muajt e fundit rritje e veprave penale “Grabitje” dhe “Dhunë në familje”

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, sot ka mbajtur takim me kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, drejtoreshën rajone të policisë në Gjilan, Elmina Mahmuti, komandantët e stacioneve policore, oficerët policorë dhe kryeshefin e hetimeve regjionale, me qëllim të luftimit të kriminalitetit, duke intensifikuar metoda bashkëpunimi në mes këtyre institucioneve.

Në njoftimin për media thuhet se janë shtjelluar të gjitha çështjet, që kryesisht lidhen me punët e përbashkëta të këtyre institucioneve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë dinamikës së zhvillimeve të fundit që po ndodhin në këtë rajon.

Po ashtu, është diskutuar se gjatë muajve të fundit të këtij viti, përveç tjerave janë në rritje veprat penale “Grabitje”, “Dhuna në familje”, për të cilat, nga të njëjtit është premtuar për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme, të cilat do t’i kontribuonin ngritjes së efikasitetit, në kuadër të luftimit të këtyre rasteve dhe kriminalitetit në përgjithësi.

Në fund të takimit, të tri institucionet, shprehën admirimin e tyre për bashkëpunimin e deritanishëm, duke u inkurajuar për ruajtjen dhe ngritjen e këtij bashkëpunimi, si dhe u pajtuan që takime të tilla të zhvillohen në intervale të rregullta mujore. /Telegrafi/

TAGS