Për vite me radhë nxënësit shqiptar nga dy shkollat e mesme në Kumanovë, shkollës profesionale “Nace Bugjoni” dhe gjimnazit “Sami Frashëri”, ndajnë të njëjtin objekt. Por hapësirat e pavolitshme nuk janë problemi i vetëm i gjimnazistëve shqiptarë. Qytetarë të Kumanovës kanë publikuar këto ditë në rrjetet sociale, pamje të tmerrshme nga ambientet në të cilat mësojnë fëmijët e tyre. Me dritare të thyera, dysheme të shkatërruara, tavane të rrënuara dhe toalete në kushte të mjerueshme higjienike. Këto janë kushtet e objektit të gjimnazit “Sami Frashëri”, për të cilin zyrtarë të lartë qeveritar, për vite me radhë dhe në çdo fushatë parazgjedhore kanë premtuar se do të gjejnë zgjidhje, por deri më tani nuk është bërë asnjë hap konkret.
Pesë vite më parë, ish ministri i pushtetit lokal Lirim Shabani kishte premtuar themelimin e komisionit i cili do të përgatitë dislokimin sa më të shpejtë të gjimnazit ‘Sami Frashëri’ nga ky objekt. Shabani u zotua se komisioni është i obliguar të gjejë zgjidhje urgjente.
Lirim Shabani, ish ministër i pushtetit lokal (13.11.2015)
“Formuam një komision i cili shumë shpejtë do të dalë me një zgjidhje të mundshme, për transferimin e gjimnazit “Sami Frashëri” në ish hapësirat e kazermës së Kumanovës. Morëm përsipër si Qeveri, si pushtet lokal, bashkë me Këshilltarët komunal, në koordinim më Ministrin e Arsimit, të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë për transferimin e kësaj shkolle”
Fillimisht zyrtarët lokal dhe qeveritar premtuan se gjimnazi do të transferohet në objektin e Kazermës së qytetit, por në vitin 2017, Safet Neziri, ishte arsyetuar se procesi po zvarritet nga Ministria e Mbrojtjes.
Safet Neziri, MASH (05.03.2017)
“Të gjitha hapat kanë ngelë në Ministrinë e mbrojtjes. Momentalisht i tërë dokumentacioni është transferuar nga Agjencioni për planifikim deri te Ministria e mbrojtjes, për ta miratuar planin e detajuar urbanistik dhe për të marrë miratim apo leje dhe nga Ministria e mbrojtjes, sepse kazerma është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes”
Ndonëse Qeveria me vendim të posaçëm në vitin 2015 ia dha Ministrisë së Arsimit për shfrytëzim objektet e kazermës megjithatë dislokimi i shkollave nuk mundi të bëhej derisa Ministria e Mbrojtjes, në pronësi të së cilës janë kazermat nuk jep leje për një gjë të tillë. Në vitin 2017 doli në pah një arsye edhe më skandaloze për zvarritjen e transferimit të gjimnazit. Zëvendës ministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti konfirmoi se dikasteri i tij ka pranuar por e ka humbur kërkesën, që sipas procedurës duhej t’i dorëzohej përmes Ministrisë së Transportit. Për tu tejkaluar kz problem, atëherë nevojitej vetëm që që Maksuti të kërkojë nga ish Zv./ministri i Transportit, Faton Pollozhani t’ia ridërgoj dokumentin e humbur dhe t’ia kthejë të njëjtën me përgjigje pozitive.
Safet Neziri, MASH (02.04.2017)
“Do të kisha apeluar deri autoritetet e dy ministrive që të ulen në nivel ekspertësh dhe pse jo edhe politik që ta zgjidhin këtë problem, sepse theksoj se më 03.02.2016 nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është dërguar një kërkesë për pëlqim deri në Ministrinë e Mbrojtjes së RM-së. Nëse është humbur dokumentacioni në Ministrinë e Mbrojtjes, dokumenti tjetër është në Ministrinë e Transportit”
Një vit më vonë, në vitin 2018 kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski përsëriti qëndrimin se zgjidhja më e mirë është zhvendosja e Gjimnazit “Sami Frashëri” tek objekti i Kazermës. Por ai përgjegjësinë për gjithë këtë procedurë ia hodhi ministrisë për arsim dhe Shkencë.
Ndërkaq vetëm ministri për arsim dhe shkencë, Arbër Ademi, që në vitin 2018 premtoi se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të siguruar objekt që përmbush të gjitha standardet.
Arbër Ademi, ministër i arsimit (08.09.2018)
“Jemi duke ndërmarr të gjitha masat për të përshpejtuar realizimin e këtij projekti por, bëhet fjalë për projekt në të cilin janë të përfshira më shumë institucione. Është e domosdoshme që të gjendet objekt siç duhet në përputhje me standardet”
Por, dy vite më pas, nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë ende nuk kanë objekt të ri dhe vazhdojnë të mësojnë në kushtet e mjerueshme sanitare dhe higjienike. Ndërkaq, ministri për Arsim dhe Shkencë, Arbër Ademi, i cili në këto zgjedhje garon si bartës i listës së BDI-së për deputet në njësinë e dytë zgjedhore, e që mbulon pikërisht Kumanovën, ende nuk ka sjellë asnjë vendim konkret për zgjidhjen e këtij problemi.