Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozimin e Komisionit për sëmundje infektive në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Krizave, miratoi ndryshim të Vendimit për ndalesë të lëvizjes së qytetarëve në të gjithë vendin, gjegjësisht për vazhdimin e orës policore në gjithë territorin. Ndalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve në nivelin e mbarë territorit, çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten, nga ora 16:00 – 05:00 të nesërmen, publikoi në Fejsbuk, kryeministri Oliver Spasovski.
Për personat mbi moshën 67-vjeçare ndalohet lëvizja gjatë gjithë ditëve të punës, prej të hënës deri të premten, përveç në periudhën prej orës 10:00 deri në orën 12:00.
Për të rinjtë deri në moshën 18 vjet ndalohet lëvizja gjatë gjithë ditëve të punës, prej të hënës deri të premten, përveç në periudhën prej orës 13:00 deri në orën 15:00.
Gjatë fundjavës ndalohet lëvizja e qytetarëve prej orës 16.00 ditën e premte deri në orën 05.00 të mëngjesit të ditës së hënë.
Sipas vendimit, ndalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve në vende publike dhe hapësira publike në grupe më të mëdha se dy persona, e cila nuk përfshin persona nën moshën 14 vjeç, nëse ata janë fëmijë të një prindi që është pjesë e grupit prej dy personash.
Kufizimet e reja hyjnë në fuqi ditën e mërkurë, 8 prill 2020 në orën 16:00.
Për aktivitetet bujqësore lejohet lëvizja brenda territorit (atarit) të fshatrave, ekskluzivisht për nevoja pune.
Farmacitë do të punojnë pa probleme, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të hartojë plan për funksionimin e qetë të institucioneve shëndetësore.
Përjashtimet nga ndalesa e lëvizjes vlejnë për policinë, ushtrinë, punonjësit shëndetësorë (në ISHP dhe IPSH, si dhe mjekët e familjes) dhe për dyqanet dhe restorantet që kryejnë dorëzim të produkteve, me ç’ rast ata angazhimet e tyre do t’i realizojnë pa probleme, ka shkruar Spasovski në profilin e tij në Fejsbuk.