Gjithçka që duhet të dini për Maqedoninë e Veriut, kundërshtarin e Kosovës në Ligën e Kombeve

Rruga e Kosovës drejt “EURO 2020” do të vazhdojë nga fqinjët e Maqedonisë Veriore, të cilët këtë të martë (19 nëntor) mbyllën me fitore ciklin kualifikues në grupin G.

Seleksioni i drejtuar nga Igor Angelovskit e mbylli në pozitën e tretë grupin G me 14 pikë, një më shumë se Kosova, megjithëse ka zhvilluar dy ndeshje më shumë, pasi që grupi A ku ndodheshin “Dardanët” ishin vetëm pesë skuadra.

Në 10-të xhiro, maqedonët shënuan 12 gola dhe pranuar 13. Statistika pak a shumë të njejta me Kosovën që realizoi 13 gola, ndërkohë që pranoi 16.

Golashënuesi më i mirë në këtë kampanjë kualifikuese për maqedonët ishte futbollisti me prejardhje shqiptare Eljif Elmas, i cili realizoi 4 gola dhe kontriboi me një asist.

Elmas mbetet njëri ndër futbollistët më të rrezikshëm te Maqedonia.

Vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit ishin tre shqiptarë në fushën e lojës dhe një në stol. Visar Musliu, Enis Bardhi dhe Eljif Elmas ishin në tapetin jeshil, ndërkohë Xhengis Rexhepi, ish-trajneri i Dukagjinit të Klinës e i Llapit ishte në shtabin teknik të Igor Angelovskit.

Ndeshja mund të luhet në Strumnicë

Ende nuk është zyrtarizuar, por mundësitë që ndeshja ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës të zhvillohet në Stadiumin “Blagoj Istatov” në Strumnicë janë të mëdha.

Ky impiant ka kapacitet prej 9,200 dhe është rinovuar në vitin 2017.

Kujtojmë që ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të zhvillohet në muajin Mars në kuadër të Play Offit të Nations League.

MEDIAL.mk