Gjithçka që ndodhi në protestën për mbrojtjen e kurdëve

Gjithçka që ndodhi në protestën për mbrojtjen e kurdëve

Sot në Prishtinë është mbajtur një protestë në shenjë solidariteti me popullin kurd, duke iu bashkangjitur kështu protestës #RiseUp4Rojava, që është mbajtur në disa qendra të botës.

Kjo protestë që është organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), është kundërshtuar nga një grup i njerëzve që e kanë quajtur të pakuptimtë.

Igballe Rugova nga RrGK, tha se kjo protestë është organizuar për të shfaqur solidaritet kundër gjenocidit ndaj popullit kurd.

Ajo tha se kjo protestë nuk është kundër popullit turk, por kundër regjimit të Erdoganit.

“Sot në gjithë botën po organizohen protesta në shenjë solidariteti për popullin kurd. Mos të harrojmë që edhe Kosova ka kaluar një periudhë të tillë në kohën e Millosheviçit, edhe neve Millosheviçi na ka dhunuar, na ka vra, na ka nxjerrë prej shtëpive dhe na ka nxjerrë edhe jashtë shtetit tonë. Ne jemi bashkëngjitur kësaj proteste gjithë botërore vetëm me tregua solidaritet me popullin kurd, me gjithë ata civil kurd që çdo ditë po vdesin, çdo ditë po dhunohen nga regjimi i Erdoganit. Prandaj, sot kemi dal një numër i konsiderueshëm të jemi edhe ne pjesë e kësaj proteste në shenjë solidariteti që mbahet në gjithë botën…Kur ne kalonim tortura, vrasje, dhunime në kohën e Millosheviçit gjithë bota organizonte protesta për ne, gjithë bota. Prandaj, është koha ne tash të tregojmë solidaritet për popujt e tjerë, nuk e mora si shembull kurdët vetëm, por gjithandej kudo që ndodhë krimi, gjenocidi dhe ne si Kosovë du het të dalim për përkrahje, pasi gjithë bota ka dal në përkrahje për ne”, tha ajo.

Derisa protestuesit mbanin në duar pankartën me mbishkrimin #RiseUp4Rojava, pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në anën tjetër të sheshit disa persona kundërshtonin këtë protestë.

Ata e quanin të pakuptimtë këtë protestë, që sipas tyre ishte kundër Turqisë dhe popullit turk.

Orhan Tyrbedari u shpreh se me këtë protestë të organizuar në Kosovë po përkrahet terrorizmi.

“Po përkrahet terrorizmi, këta janë terroristë që kanë mbytur civil, fëmijë dhe kanë dal i kanë përkrahë. Krejt bota e kanë shpallë si terroristë, edhe Evropa, edhe Amerika. E prej ka dal ky që me e përkrahë Kosova terroristë unë nuk po e di. Kush e ka organizuar këtë, Evropa e ka shpallur terroristë, edhe Amerika e ka shpallur terrorist. Turqia është një shtet që e ka pranuar Kosovën i pari dhe me ndihmë të Turqisë, Kosova shumë ka përparuar. Është puna që është organizuar prej dikujt tjetër, me para janë këta që kanë dal kundër Turqisë. Taipi e ka shpallur tash armëpushim edhe me Amerikën ka me e kontrollua krejt kufirin e Sirisë, me Amerikën”, tha ai.

Por Igballe Rugova nga RrGK u shpreh se i vjen keq për këta persona, pasi sipas saj, kanë harruar ku ka qenë Kosova para dy dekadave.

“Më vjen keq për ta, sepse ata harrojnë ku kemi qenë ne para dy dekadave. Më vjen keq që ata mendojnë që jemi qu kundër popullit turk, po ata harrojnë që ne nuk jemi qu kundër popullit turk, po kundër regjimit të Erdoganit që bënë tani kundër popullit kurd në Siri. Ju ndoshta e dini më së miri e keni pa ato filmime të një lidere kurde të cilën forcat proturke e kanë dhunuar, e kanë gurëzuar deri në vdekje dhe ne prej asaj dite kemi menduar si ta ngrejmë zërin si Kosovë, sepse më të vërtetë neve në takon edhe ne me e ngritë zërin si Kosovë sikur e kanë ngritur zërin për ne si Kosovë”, deklaroi ajo.

Turqia ka nisur ofensivën në Siri me sulme ajrore më 8 tetor, ndërsa, më SHBA dhe Turqia kanë arritur marrëveshje për armëpushimin në veri të Sirisë më 17 tetor.

Të paktën 30 civilë kanë humbur jetën dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë kurdë kanë humbur jetën sipas raporteve.

Programi Botëror i Ushqimit thotë se më shumë se 100,000 njerëz janë shpërngulur deri tani nga pushtimi turk në veri të Sirisë.