Alsat mëson se Gjykata e Apelit ka vendosur për përsëritjen e procedurës penale në rastin “Alfa” për vrasjen e policit në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup. Por palët thonë se akoma presin vendimin në formë të shkruar. Burime nga Gjykata e shkallës së dytë thonë se trupi gjykues ka vendosur për përsëritje të lëndës, pa lënë në liri të dënuarit, ashtu siç kërkon mbrojtja. Kjo e fundit në një shkresë të mëhershme kërkon që pas lirimit të Almir Derplaninit, i dënuar për këtë rast nga akuza dhe daljes së rrethanave dhe dëshmive të reja në opinion, Gjykata Penale ta përsërisë procedurën. Kërkesës së avokates Artene Iseini dërguar më 28 dhjetor 2018, Gjykata Penale i është përgjigjur negativisht. Iseini u ankua ndaj këtij vendimi.
Gjykata Themelore, Shkup (19.02.2019)
“Kërkesa për përsëritjen e procedurës penale hidhet poshtë si e pabazë. Hedhja poshtë e akuzës ndaj ish të dënuarit Almir Derplanin nga Gjykata e Apelit, nuk mundet në këtë rast të shfrytëzohet si argument për përsëritjen e procedurës penale ndaj Rexhail Qerimit dhe Agim Islamit”.
Dy ditë para kërkesës për përsëritje të procedurës, mbrojtja ka kërkuar nga Byroja për Ekspertizë Ligjore të prononcohet mbi ekspertizën ndaj video incizimit nga vrasja e cila është përdorur si një nga dëshmitë në procedurë. Nga ky organ janë përgjigjur se në arkivat e tyre nuk ka kërkesë për ekspertizë të tillë.
Byroja për Ekspertizë Ligjore (26.12.2018)
“Në arkivat e Byrosë nuk gjendet shkresë ose njoftim konkret lidhur me ekspertizë ndaj video materialit për të cilin flisni”.
Vrasja e policit shqiptar Afrim Arifi ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008. Nga kjo përleshje të plagosur mbetën dy kolegët e tij Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Me burg të përjetshëm u dënuan Rexhail Qerimi, Agim Islami dhe Almir Derplnain i cili gjatë gjykimit ndodhej në arrati por më pas u ekstradua nga institucionet e Kosovës. Me 6 vite burg si pjesëmarrës në logjistikë u dënua Ramadan Shaqiri. Mbrojtja ishte ankuar ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, por Apeli dhe Supremja kishin hedhur poshtë ankesat e tyre duke lënë në fuqi dënimet e burg të përjetshëm. Në vitin 2017 me vendim të Gjykatës së Apelit, Almir Derplanini u shpall i pafajshëm, ndërsa dënimi ndaj Raxhail Qerimit dhe Agim Islamit mbeti në fuqi.