Gola, dramë, vazhdime – Milani eliminon Torinon, përballet me Juven në gjysmëfinale të Kupës

Milani është rikthyer në një ndeshje dramatike ndaj Torinos në çerekfinale të Kupës së Italisë duke triumfuar me rezultat 4-2 pas vazhdimeve.

Vendasit shënuan të parët në minutën e 12-të me anë të Giacomo Bonaventuras, i cili u asistua nga Ante Rebic.

I asistuar nga Simone Verdi, Gleison Bremer e barazoi rezultatin (34’) dhe me shifra identike, skuadrat shkuan në pushim.

Në gjysmën e dytë, Bremer e shënoi edhe golin e dytë personal (71’) pas asistimit nga Ola Aina duke e përmbysur rezultatin.

Jo shumë minuta pasi u inkuadrua në lojë, Hakan Calhanoglu e barazoi rezultatin (82’), ndërsa Zlatan Ibrahimovic nuk shënoi nga dy shanse shumë të mira për ta vulosur kualifikimin në minutat shtesë.

Skuadrat i intensifikuan përpjekjet edhe gjatë vazhdimeve për ta fituar lojën, ndërsa sërish protagonist u tregua Hakan Calhanoglu (106’) për ta rikthyer epërsinë e Rossonerëve.

Dhe nuk mund të mungonte goli i Zlatan Ibrahimovic (109’) për të vulosur gjithçka. Ai u asistua në zonë nga Rafael Leao dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Në gjysmëfinale të Coppa Italia, Milani do të luajë kundër Juventusit që e eliminoi Romën. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohen më 12 shkurt, kurse ato të kthimit më 4 mars.

MEDIAL.mk