Grenell planifikon të tërhiqet si ambasador në Gjermani

Grenell planifikon të tërhiqet si ambasador në Gjermani
Tash esht Koha

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, po planifikon të tërhiqet në javët e ardhshme pas më shumë se dy vjetësh në këtë post.

Njoftimi i dhënë fillimisht nga agjencia gjermane e lajmeve dpa, u konfirmua në twitter nga ambasadori Grenell. “E vërtetë”, shkroi shkurt ai rreth shkrimeve të sotme për largimin e tij nga posti ne Berlin.

Robin Quinville, zëvendës shefe e misionit në ambasadë, pritet të zëvendësojë përkohësisht zotin Grenell, tha agjencia dpa.

Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Senati amerikan konfirmoi në postin e drejtorit të përhershëm të Inteligjencës Kombëtare ligjvënësin John Ratcliffe, i cili po ashtu si zoti Grenell është një aleat i fortë politik i Presidentit Donald Trump.

Në muajin shkurt, Presidenti Trump e emëroi 53-vjeçarin Grenell si drejtor të përkohshëm të Inteligjencës Kombëtare.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se një zëdhënës i ambasadës nuk pranoi të komentojë rreth njoftimit. Ai tha se “është praktikë e ambasadës të mos komentojë mbi udhëtimet apo planet, por Ambasadori Grenell ka vazhduar të të jetë i angazhuar në mënyrë aktive në përparësitë e administratës në Gjermani ndërsa shërben si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare”.

Zoti Grenell është gjithashtu i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Tash esht Koha