Greqia do t’i rihapë restorantet dhe kafenetë një javë para datës së planifikuar

Greqia do t’i rihapë restorantet dhe kafenetë një javë para datës së planifikuar

Greqia si duket e ka vënë mirë nën kontroll pandeminë pasi qeveria është shprehur e vendosur që restorantet dhe kafenetë t’i rihapë një javë para datës së planifikuar më herët.

Ky lajm ka bërë që pronarët e lokaleve të nguten për t’u përgatitur për mysafirë në zonat më të vizituara të Athinës, sidomos në pjesën e Akropolitit të lashtë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Përpos restoranteve, qendrat tregtare do të hapen nga e hëna, dy javë para datës së planifikuar paraprakisht. Sidoqoftë, stafi dhe klientët do të jenë të obliguar me ligj që të përdorin maska ose mbulesa të tjera të fytyrës.

Pas arritjes së valës së vapës, komisioni i ekspertëve e këshilloi qeverinë e qendrës së djathtë që ta lejojë rihapjen e 500 plazheve gjatë kësaj fundjave që pritet të jetë test për industrinë e turizmit.

Të dielën, kishat u hapën për herë të parë për besimtarët në dy muajt e fundit. Sidoqoftë, vetëm një person do të lejohet për çdo 10 metra katrorë.

Autoritetet greke kanë zbatuar masa të rrepta të izolimit para se në vend të shënohej vdekja e parë nga koronavirusi, duke i mbyllur shkollat në Peloponez që me 4 mars.