31 Tetor 2018 / 15:36
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook i burgosuri Muhamet Krasniqi i njohur si komandant Malisheva ka njoftuar se në burgun e Idrizovës ka ndodhur një incident mes të burgosurve dhe disa personave, sipas, tij, të veshur me uniforma por pa emblema. Komandant Malisheva për Alsat sqaroi se incidenti erdhi si pasojë e flamurit që ai mban në dhomën e tij dhe pasoi me përplasje fizike. Prononcimin Malisheva e bëri përmes telefonit.
Rreth orës 22 e 20 minuta parëmbrëmë kanë hyrë dikund afër 100 forca të paidentifikuara, pa emblema, të maskuar me veshje antiplumb, me shkopat e gomave, me pranga dhe rezistenca jonë ka filluar kur kanë dashur të largojnë flamurin nga dhoma ime, dhe i gjithë grupi që jemi, kemi rezistuar. Këta kanë tentuar të përdorin edhe dhunën. Unë e di se është e lejuar me ligj këtu të mbahet flamuri dhe çdo gjë që kishte shqiponjë, edhe tek emblemat e vogla këtu të flamujve tanë tentuan të na i marrin me dhunë. Jemi shtyrë me trup, kanë tentuar ta marrin flamurin, unë i kam kapur për duarsh dhe i kam larguar”- u shpreh Komandant Malisheva, në linjë telefonike.
Avokati i popullit Ixhet Memeti thotë se është informuar për rastin dhe ka dërguar ekipe në burg për të shqyrtuar situatën. Ai shton se në Idrizovë është kryer kontroll rutine ku ka ndodhur një zënkë verbale por se në asnjë rast nuk është ushtruar dhunë.
Unë i angazhova shërbimet dhe ata i morëm informatat e para. Informatat e para nga udhëheqësia e burgut flasin se atje ka pasur kontroll nga të punësuarit në disa nga dhomat. Gjatë kontrollit tek personat të cilët vuajnë masën e dënimit apo paraburgimit janë gjetur telefona, gjë e cila nuk lejohet. Telefonat janë marr mirëpo, ata nuk e kanë pranuar mirë këtë dhe kanë qenë të revoltuar, për flamurin nuk kemi informata”- theksoi Ixhet Memeti , avokati i popullit.
Nga udhëheqësia e burgut të Idrizovës nuk dhanë detaje lidhur me rastin por vetëm na thanë se rasti nuk ka qenë një incident ashtu siç u paraqit në media por kontroll i zakonshëm pasi ishin detektuar disa telefona.
Elmedina Aliji