Halimi: Amerika dhe Rusia pajtohen që Kosova e Serbia të shkëmbejnë territore dhe të njohin njëra-tjetrën (Video)

Halimi: Amerika dhe Rusia pajtohen që Kosova e Serbia të shkëmbejnë territore dhe të njohin njëra-tjetrën (Video)

Analisti Fisnik Halimi ka thënë se njëri prej dy liderëve që ishte nikoqir i Samitit të Berlinit e mbajnë të gjallë çështjen e shkëmbimit të territoreve.

Halimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në konkluzionet e Samitit nuk përjashtohet çështja e shkëmbimit të territoreve.

“Po të kishte dakordancë në atë samit [për ndalimin e shkëmbimit të territoreve], patjetër se do të thuhej tekstualisht”.

Analisti thotë se Samiti i Berlinit nuk kishte si të ishte ndryshe pos “i dështuar”, pasi sipas tij vetë Bashkimi Evropian është i dështuar në zgjidhjen e problemit të Kosovës.

“Bashkimi Evropian nuk mund të hapë asnjë lloj porte për Kosovën, për një arsye të thjeshtë, pesë vende të saj e mohojnë Pavarësinë e Kosovës, derisa Spanja e kundërshton më shumë se Rusia shtetësinë tonë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Halimi ka thënë përkundër që Spanja, Greqia e Qipro kanë pranuar nga Bashkimi Evropian ndihmë direkte prej 700 miliardë eurosh, ato për asnjë milimetër nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre në raport me Kosovën.

Ai ka thënë se pa pajtimin rus, Kosova nuk mund të anëtarësohet në OKB.

“Pajtimi rus dhe amerikan për Kosovën, është që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë territore dhe të njohin njëri-tjetrin…Ata që janë të afërt me procesin e dinë se këto gjëra janë thënë në prillin e vitit të kaluar. Vuçiq kishte thënë se gjendej në Amerikë për të shikuar basketboll”.

Halimi ka shtuar tutje se pas Samitit të Berlinit, Haradinaj dhe Pacolli dolën me deklarata të kundërta sa i përket taksës.

“Zoti Haradinaj tha se Thaçi kërkoi heqjen e taksës, ndërsa zoti Pacolli tha se Thaçi nuk kërkoi heqjen e taksës. Është skandal që dy zyrtarë kaq të lartë të shtetit dalin me deklarata kundërthënëse”, tha ndër të tjera Fisnik Halimi./Telegrafi/

TAGS