HALIMI ME KUR’AN

HALIMI ME KUR’AN

“Evlijatë janë ata që plotësisht i janë dorëzuar Allahut xhel-leshanuhu, dhe të cilëve Allahu xhel-leshanuhu u ka dhuruar keramete”. (el-Bejdavi)

Para se të filloj me përshkrimin e personazhit të këtij shkrimi, Halimit tonë të Shkupit, po e kujtoj një pyetje që ma pat bërë para disa vitesh një njeri në autobus në Stamboll. Pasi e kuptoi se isha nga Shkupi, ai tha: “Te ju ka njerëz të mbrojtur nga Zoti (evlija)”. I thashë se jo, mbase edhe nuk e di, por më tepër mund të them se jo. Në fakt, i thashë se ishte një kohë një njeri të cilit nuk i dihej as e djathta e as e majta, sepse ai ecte me aq shpejtësi, saqë ne nuk e kuptonim se çfarë do të thoshte kjo. Disi, ana horizontale për të ishte e ngushtë, sepse ishte më i fortë në atë anën vertikale drejt qiellit e përtej. Ai ishte Halimi. Këtu po e sjellim një hadith të Pejgamberit a.s., i cili më duket se e përshkruan edhe brendësinë e këtij personi, por që në të njëjtën kohë na mëson dhe na e portretizon qetësinë, stabilitetin e një shoqërie të shëndoshë dhe të sigurt:

“Shtatë veta Allahu do t’i mbulojë me hijen e Tij, Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër pos të Tijës: prijësin e drejtë; të riun që është rritur në ibadet (robërim) ndaj Zotit të tij; njeriun, zemra e të cilit është e lidhur për xhaminë; dy veta, që duhen në emër të Allahut, për hir të Tij takohen dhe për hir të Tij ndahen; njeriun që e josh një femër, e bukur dhe me prejardhje fisnike, e ai i thotë: ‘Unë i frikësohem Allahut të Madhërishëm’; njeriut që ndan sadaka, por në mënyrën që ta fshehë atë që ndan, dhe atë deri në atë masë sa që e majta nuk e di se çfarë ndan e djathta; njeriun që në vetmi e përmend Allahun, dhe nga sytë i pikojnë lot”. (Buhariu dhe Muslimi)
Kohën që jemi duke e jetuar, dhe të cilën jemi duke e përjetuar, është bërë e zbrazët nga ky fenomen i interpretimit të kohës; ndërsa koha pa këto fenomene është e ftohtë dhe e frikshme. Më parë njerëzit tanë flisnin me dashuri për mrekullitë dhe për kufizimin e mendjes, ndërsa biseda më e dashur ishte ajo mbi robërit e devotshëm të Zotit, si, p.sh.: Uvejs Karni (Vejsel Karani), Ibrahim ibni Ed’hemi, Rabiatu’l Adevijje, Dhunnun el-Misri, Hasan el-Basri, Malik ibn Dinar, Bejazid Bestami, Shekik Belhi, Feriduddin Attari e shumë të tjerë, të cilët me sjelljet e tyre i ndryshonin zemrat e njerëzve, duke krijuar qetësi dhe kënaqësi në këtë botë. Ne të gjithë ata i emërtonim evlijaullah; kur tradita muslimane flet për ta, thotë se nuk ka kohë apo zaman që mund të ekzistojë pa personalitete të tilla. Këta disa herë kanë qenë fuqi e padukshme ose e dukshme; disa nga ata as vetë nuk e kanë ditur se janë të tillë, përpos Zotit; ose ka të tillë që edhe vetë e kanë ditur se kush janë, por dhe të tjerët e kanë ditur këtë. Atyre, me lejen e Zotit, iu lejohet depërtimi përtej gardhit, përtej kufijve të ratios. Te ne, në fjalorin tonë fetar thuhet se duhet pasur kujdes nga robër të tillë të Zotit.

Siç thashë, për evlijatë, më parë flitej më shumë se në kohën tonë. Tekefundit, nuk duhet të na habisë se sot si mund të flitet për ta, kur zhgërryhemi të shtrirë para televizorit, duke i nxjerrë edhe mendjen, edhe shpirtin, edhe familjen “jashtë” vetes. Dhe si mund të flitet atëherë për tema të tilla të frymëzuara dhe të plotësuara për mendjen dhe shpirtin e njeriut. Pra, më parë bisedohej për evlijatë. Më kujtohet shumë mirë rahmetli babai im, njeri i devotshëm dhe punëtor i zellshëm, i cili mundohej ta praktikonte edhe hadithin e mësipërm, sepse ibadetin e kryente me kohë, lexonte me rregull Kur’anin, i largohej gibetit (thashethemeve) dhe kishte dashuri për njerëzit e ditur; heshtte para tyre dhe i vizitonte ata sa herë që mundej. Një ndër ta ishte edhe një jo i afërm i ynë nga ana fisnore, por një burrë që ishte shpërngulur në Shkup nga Kaçaniku, nga ishte shpërngulur edhe babai im, e që quhej Et’hem Raka. Flas për kohën kur isha fëmijë dhe çdoherë kur e vizitonim atë, ata bisedonin për çështjet e evlijave; biseda e këtillë më shkaktonte kënaqësi, faktikisht këtë kënaqësi sot e shoh tek fëmijët teksa shohin filma vizatimorë?! Çfarë paradoksi!

Nga bisedat e tilla më kujtohet ajo për Behlul (Dana), dhe vëllain e tij, të famshmin Harun Reshid, sundimtari i madh. Një ditë Harun Reshidi sëmuret, nga një sëmundje që ia pamundësonte të kryente urinën. Natyrisht se nga dhimbja e madhe, të cilës nuk mund t’i gjenin derman mjekët e famshëm të oborrit mbretëror, ai i thirri rojet e veta dhe iu tha: “Ma gjeni atë ‘abdallin’ dhe ma sillni këtu”. Ata dalin me të shpejtë dhe e gjejnë ‘abdallin’ (Behlulin), të vetmuar, larg qytetit, të rrethuar nga kafshë të egra dhe shpend, natyrisht duke iu lutur Zotit, dhe i thonë se e thërret i vëllai. Behluli shkon në oborrin mbretëror, ku e sheh sundimtarin teksa ulërin nga dhimbja. Ai e lut Behlulin t’i tregojë nëse ka ndonjë derman për këtë lloj sëmundjeje. Me sarkazmin e kohës Behluli i thotë: “Pse kërkon ndihmë nga unë, kur të gjithë janë në shërbimin tënd? Më lër rehat me punët e mia…” Megjithatë, pas lutjeve të vëllait Behluli vendos t’i ndihmojë me lejen e Zotit, por me një kusht, e ai është që t’i ndërrojnë ulëset, d.m.th., ky ta zërë fronin e tij. E paramendoni, Harun Reshidi edhe përkundër dhimbjeve të hatashme, fillimisht nuk pranon ta braktisë pozitën, por ja që dhimbja e padurueshme e detyron që në fund të pranojë të heqë dorë nga sundimi, vetëm për t’u shëruar. Evlija Behluli, natyrisht me ndihmën e Zotit, ia arrin t’ia largojë problemin shëndetësor të vëllait, por pasi ulet në fronin e tij, i thotë: “Jo, unë nuk kam nevojë për diçka të këtillë, sepse ky fron nuk e ka as peshën e urinës”.

Ja dhe një rrëfim tjetër nga thesari i evlijave: Harun Reshidi kishte dalë për gjah në shkretëtirë. Ai ishte larguar shumë nga shoqëruesit e tij dhe ishte shumë i etur, kërkonte ujë për të pirë, ndaj nxitoi andej-këndej duke kërkuar. Atëherë vërejti larg një çadër. “Aty duhet gjithsesi të ketë dikush”, mendoi ai. “Mund të gjej ca ujë për të pirë”.

Ai arriti te çadra. “Kush është aty?”, pyeti ai. Një plakë doli, me flokët e mbuluara. “Shpejt më sill një kupë me ujë” , urdhëroi Haruni. “Nëse ma paguan çmimin e asaj kupe, do të ta jap”, iu përgjigj ajo. Dhe ai tha: “Unë jam halifi i Bagdadit, unë jam mbreti. Sillma atë!” “Jo. Ti mund të jesh mbret në Bagdad. Unë jam mbret në këtë çadër. Ti as që mund të futesh në të pa lejen time; Allahu e ka ndaluar këtë. Ti duhet të më falënderosh dhe të më paguash për ujin. Atëherë do të jetë në rregull”. Ai mendoi se ajo do të kërkonte shumë para, ndaj priti të dëgjonte se çfarë kërkonte ajo. Atëherë ajo i tha: “O Halif, nuk është ajo që po të kalon nëpër zemër (që je duke e menduar)”. Evlijatë janë “shikuesit” e zemrave, që e dinë se çfarë kalon nëpër to. Ajo nuk ishte një plakë e zakonshme, por kishte një sekret mes saj dhe Zotit të saj të Plotfuqishëm. “Ajo nuk është asgjë, ngaqë e tërë bota me thesaret e saj nuk janë aq të vlefshme as sa një krah i mushkonjës në Praninë Hyjnore”. (Kjo sipas hadithit të Pejgamberit a.s.: “Sikur e gjithë kjo botë me thesaret e saj të kishte aq vlerë në Praninë Hyjnore sa një krah i mushkonjës, Allahu i Plotfuqishëm nuk do t’iu jepte kurrë jobesimtarëve as një pikë uji për të pirë”.)

“Më thuaj shpejt se çfarë dëshiron, sepse vdiqa nga etja”, tha Haruni. Dhe ajo e mbushi kupën me ujë dhe ia solli atij, duke e pyetur: “O Harun, sa kohë ka qe je mbret?” “Njëzet e pesë vjet”, u përgjigj ai. “Ajo mbretëri që e ke pasur deri sot – ma jep gjithë atë dhe unë do të ta jap këtë kupën me ujë”. Ai e përsëriti këtë, duke thënë: “A e kërkon mbretërinë që ka kaluar, apo mbretërinë që do të vijë?” Dhe ajo tha: “Jo. Unë nuk jam e interesuar në mbretërinë që do të vijë për ty pas kësaj dite, por për ato ditët që kanë kaluar nga mbretëria jote. Sa vjet?” “Njëzet e pesë vjet”. “M’i jep ato mua, dhe atëherë ky ujë do të jetë i yti”. Dhe ai shikoi. Harun er-Reshidi shikoi dhe nuk gjeti asgjë nga gjithë ato vite të mbretërimit të tij, asgjë prej tyre nuk kishte. Atëherë ai e kuptoi se ajo zonja nuk kërkonte asgjë, por se vetëm dëshironte t’ia hapte sytë atij.

Në kohën tonë, të bisedosh për gjëra të tilla, mendja të sulmohet nga bartësit e titujve shkencorë, nga ata në pozita politike që nuk bëjnë asgjë (pra që janë në “pozitën” e Harun Reshidit), e paramendoni se për çfarë flasin ata/ne: ne flasim si të sundojmë, të mbisundojmë, pa marrë parasysh se kujt i shërbejmë. Që ta përkujtojmë, mendoni vjedhjet nga më të ndryshmet në pasuri dhe tituj shkencorë; mendësinë e të qenit rob; e harxhimit të kotë dhe rrenës e mashtrimit. Kështu krijohet thatësia e madhe “e tokës”. Atje ku ekziston urtësia dhe devotshmëria, nuk ka frikë për asgjë, por ku ta gjemë Behlulin dhe pleqtë që bisedonin për të?!

Ç’të bëjmë ne që nuk patëm, apo nuk kemi mundësi t’i kuptojmë këto brendësi, e Halimi, duke “fluturuar” si duket i kuptonte dhe përjetonte ato që ndodhin mes qiellit dhe tokës. Ai ishte njeri i devotshëm, nuk kishte kibër (mendjemadhësi), e nuk merrej me gibet e fitne; te ai nuk ndikonin sistemet ekzistuese; faktikisht për të as Tito, as Stalini, as Ruzvelti nuk ekzistonin, e të mos flas për Enver Hoxhën e Mehmet Shehun. Atë kur e ndalonte polici për një çast “e humbte” nga sytë, sepse ai ishte njeri që nuk mund të kontrollohej nga njeriu, ai kontrollin e kërkonte nga Krijuesi i Gjithësisë. Të gjithë atë e dinin, por nuk e njihnin; ai ishte njeri që rendte pas Kur’anit; fjalori i tij ishte aq i shkurtër, dhe aq i pakuptimtë, saqë vetëm melekët që i kishte përreth e kuptonin. Nuk i bëhej vonë fare se çfarë flisnin të tjerët dhe a e kuptonin apo jo.

Halimi, si duket ishte nga ata që as ai vetë nuk e dinte se kush është, e as ne nuk e dinim se kush ishte, përpos asaj se ecte me nxitim dhe pëshpëriste në vete, disa herë duke u përpjekur “të fluturonte”, me një shikim të veçantë, jo frikësues, por të pakapshëm, sepse shumica e dinin se Halimi është duke vrapuar me shpejtësi që ta zë një vend, ta gjejë një skutë aty ku nuk duket në xhamitë e Shkupit, e të fillonte leximin e Kur’anit. Kohët e namazit ishin kohë që i dinin të tjerët, por për të nuk ishin, sepse shpeshherë kur ne që shkonim në xhami, para agimit të sabahut, ai ikte nga kjo botë dhe strehohej në xhami duke lexuar Kur’an dhe duke shikuar drejt qiellit. Ose, duke shikuar diçka që ne nuk e kuptonim.

Nga “mbeturinat” e prapambeturisë së racionalitetit që ekzistonte, dhe që vazhdon të ekzistojë nëpër xhamitë tona, ai shpejt iu përgjigjej këtyre anomalive, si thashethemet, zhurmat e kota, humbja e takvallëkut dhe thatësia e shpirtit, me thënien “Subhanallah, kush jeni ju, çfarë bëni?”. Kaq. Lezeti më i madh ishte se nuk ia varte veshin askujt, sepse si duket e kuptonte, ose thënë me gjuhën e evlijallëkut, e kuptonte para se tjetri ta thoshte, dhe menjëherë largohej, merrte rrugën e vet, rrugën e Kur’anit dhe të heshtjes para Kur’anit.

Ishte për t’u habitur, edhe namazin kur e falte, si duket ishte aq shumë i thelluar dhe i dashuruar me Fjalën e Zotit, saqë përpiqej sa më shpejtë ta kryente edhe namazin, sepse përpos këtij namazi që është urdhër i Zotit, namazi më i madh i tij ishte shikimi në Kur’an, leximi i Kur’anit – Fjalës së Zotit. Fjala e Zotit atë e mbante të gjallë, e frymëzonte dhe e bënte atë të fuqishëm dhe të dashur te të tjerët.

Nga dashuria që kishte për to, ai i vizitonte të gjitha xhamitë e Shkupit, dhe të gjithë xhamitë e Shkupit e dinin që për Halimin nuk ekzistonte rregull. Për shkak të ndonjë “deliu” të xhamisë, i cili për arsye se e mbante çelësin e xhamisë dhe i pengonte që të hyhet në xhami “pa leje”, ai kërkonte menjëherë xhami tjetër dhe rishtas i drejtohej Kur’anit dhe atë pa ndonjë zhurmë, pa ndonjë urrejtje, pa marrë parasysh se me çfarë të drejtë dikush mund ta kufizojë kohën kur njerëzit mund të futen në xhami për lutje dhe lexim të Kur’anit.
Në kohën e sotme jemi dëshmitarë se nëpër xhamitë tona janë duke u krijuar partizanë të ndryshëm, pa marrë parasysh sfondet, biografitë e tyre, se kush janë dhe si janë. Është duke u nuhatur se xhamia është shndërruar në trajtë dyqani, dhe pikërisht të atyre dyqaneve që nuk mund të quhen ndryshe, përpos si vende të një varfërie, respektivisht shtëpie të ftohtë, larg qetësisë, edukatës dhe shpirtit “fluturues”, që çdo besimtar duhet ta ketë. Xhamia nuk guxon dhe nuk i pranon njerëzit e tillë, besimtarët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj “tipave” të tillë; për xhaminë kujdesen vetëm robërit e Allahut, siç i quan Kur’ani: ibadur-Rrahman, të cilët e kanë kuptuar peshën, përgjegjësinë e qendrës së botës. Xhamitë duhet të jenë të tilla, se nga xhamitë burojnë evlijatë, në xhami noton Halimi i Shkupit me Kur’an.

A nuk e shihni se xhamitë tona janë të mbingarkuara me rregulla pa rregull, me interpretime të thata, përplot me zhurmë dhe “mençuri”, me terminologji të pakuptueshme të llojit të karikaturës, aty keni mundësi ta shihni portretin e “Tomi-Xherit”; aty keni mundësi ta shihni portretin e “x”, “y”, përpos portreteve të duhura. Habitem se si ka mundësi që xhamitë të jenë të zbrazëta nga njerëz të tillë, në këtë kohë të vështirë, kur dita-ditës është duke u robëruar mendja e njeriut, dita-ditës është duke u vetmuar njeriu; nuk ka ditë që nuk ka hidhërim e luftë, duke filluar që nga shtëpia, rruga, e të mos flas për institucionet, ku njeriu ka frikë t’i largohet karriges, që të mos ia zë dikush tjetër. Me çfarë të drejtë ne ua mbyllim dyert e xhamisë njerëzve të tillë? Nëse mendoni se jam duke folur për çelësin që e bën hekuri apo dikush tjetër, vaj halli. Xhamitë janë shtyllat bartëse, përforcuese të një stabiliteti dhe qetësie shpirtërore. Xhamitë duhet t’i tejkalojnë të gjitha këto, që çdokush duke kaluar pranë saj, ta dëgjojë zërin thirrës të xhamisë: “eja, eja, qetësohu, lutu Zotit”! Në këtë kohë dhe në këtë pozitë që janë xhamitë, nuk e di se ku do të shkonte Halimi, kur kemi parasysh se nuk ka mbetur asgjë e paprekur; nuk mund të gjeni vend ku ka mundësi të strehohet shpirti i njeriut…

Gëzohem që vendosa që në këto tre muajt të bëj një përshkrim të Halimit tonë, i cili na la para disa vitesh; në këta tre muaj, në traditën tonë muslimane, përpos në atë hapësirën e Lorencit të Arabisë dhe vehabizmit të çuditshëm, shumica e muslimanëve e kanë zbukuruar kohën, dhe atë duke u mbështetur në fjalën e Zotit për eshhurul hurum, “muajt e ndaluar”, muajt “e haramit”, e haramit që ndalohen nga Zoti, në të njëjtën kohë që kanë peshë te Zoti. Edhe muslimanët e Ballkanit për këta muaj përgatiten, përforcohen, duke filluar nga lutjet e shpeshta, me agjërimin “e hënë – e enjte” dhe me leximin më të shpeshtë të Kur’anit, me qëllim që të përgatiten për pritjen e muajit të Kur’anit. Halimi këta muaj kështu i kuptonte: edhe agjëronte, edhe e shpejtonte leximin, dhe kishte momente kur vetëm brenda 24 orëve e përfundonte hatmen e Kur’anit. (InshaAllah ndonjë i “mençur” nuk ma tërheq vërejtjen se për më pak se tri ditë nuk guxon të lexohet i gjithë Kur’ani.)

Më kujdohet se për Halimin kam dëgjuar edhe nga jomuslimanë, sepse ai punonte te fabrika e tullave (“cigllana”), në Shkup, dhe njëri me një rast më tha: “Halimi ishte i çuditshëm, edhe në kohën e agjërimit ai i punonte punët më të rënda dhe nuk merrej me thashetheme, e as që dinte diçka për mënyrën e punës së fabrikës… Më kujtohet se ishin ditë vere kur atij i kullonin djersët, por agjëronte”. Por, ne nuk e shihnim në fabrikë, e shihnim se ai pas pune vraponte në xhami që ta lexonte Kur’anin. Halimi nuk pranonte lëmoshë, ai kishte njohuri se duhet të punohet, edhe pse nuk “e kuptonte” atë, por e kuptonte se nuk kishte nevojë të bëhej i varur nga dikush tjetër, ngaqë brendësia e tij nuk ia lejonte që të ballafaqohet me tmerrin e sotëm kur çdokush mundohet t’i shkelë të gjitha rregullat e fuqisë së krijimit të tij, duke u nënshtruar nga “shitblerja” që i bëhet. Për haje e për pije Halimi vetë punonte. Natyrisht që ai kishte edhe një qëllim tjetër, e kjo ishte që ai të mund të fitonte mjaft para për ta vizituar Qaben dhe të bëhej haxhi.

Kërkoj falje, por duke e shkruar këtë tekst kam përjetuar “çrregullime”, duke qenë vetë tema e tillë, ngaqë mundohesha t’i kap gjërat që “fluturojnë”, ndaj do ta përmend edhe një bisedë si ato nga fillimi i shkrimit. Një nga evlijatë ishte futur fshehurazi në pallatin e mbretit mu në kohën kur mbreti kishte pasur mbledhje me vezirët e tij. Në çast vëllai mbret, përjeton turp nga ky “i shkretë” dhe iu urdhëron rojeve ta nxjerrin jashtë. Pasi përfundon mbledhjen, vëllai e thërret këtë dhe e pyet se përse e turpëroi para njerëzve të tij. Ky evlijau në heshtje, e pa një zog mbi degë dhe e thërriti t’i zbresë në gishtin e tij, dhe ai erdhi. Pastaj i tha të vëllait, mbretit: “Urdhëro, thirre ti!”, por atij nuk i shkoi. Atëherë i tha “i shkreti” mbretit: “Eh vëlla, ti u turpërove nga unë para banorëve të tokës, e ti mua më turpërove para banorëve të tokës dhe qiejve – para melekëve”.

Duke shkruar këta rreshta m’u paraqitën parasysh filmat e ndryshëm, kur njerëzit fitojnë edhe çmimin e famshëm “Oscar”, vetëm për arsye se shkruajnë skenarë për filma fantastik, disa nga të cilët nuk kanë fare të bëjnë me ne. Në disa prej tyre prezantohen “sundimtarë” që vijnë nga planetë të ndryshme që vetëm shkatërrojnë dhe krijojnë tmerr, e të mos flas për vizatimorët që i shikojnë fëmijët tanë, ku prindërit zëvendësohen me kafshët nga më të çuditshmet, si: derri, gomari, këndesi. Jo vetëm që fëmijët habiten me këto, por edhe ne prindërit. Për t’i mësuar fëmijët për këtë ne paguajmë para në formë parapagimesh për televizion dhe internet. E ne presim pastaj nga fëmijët lot, dashuri, dhembshuri?! A nuk kam të drejtë të them (duke kërkuar falje): bëhuni … që të na duan fëmijët tanë!
Rahmetullahi alejh shpirtit të Halimit tonë që lexonte Kur’an, jo vetëm me zemër dhe me mendje, por edhe me “trup”. Edhe një herë shpresoj se këta tre muajt e shenjtë në të cilët sapo kemi hyrë, dhe për të cilët Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: “Allahumme, barik lena fi rexheb ve shaban, ve bel-ligna ramadan” (Allahu im, na dhuro bereqet (bekim) në muajt rexheb dhe shaban, dha na e dhuro muajin ramazan”, do të jenë një parapërgatitje për ta kuptuar dhe përjetuar brendësinë e fesë, atë dashurinë e madhe ndaj Kur’anit, që e shohim të përshkruar në zemrat e të dashurve të Zotit – evlijaullah.

Tani që po e përfundoj shkrimin për Halimin e Shkupit, m’u kujtua edhe vizita që në vitin 1974, sapo përfundova hifzin, bashkë me babanë tim ua bëmë dy vëllezërve të njohur të Tetovës, Ali dhe Hasan efendiu, të cilët përpos se ishin hafizë, ishin njerëz të thelluar në heshtjen e vahjit dhe sunnetin e Pejgamberit Muhammed a.s. Turpi dhe heshtja e tyre ishte “fjala” më e madhe. Ne shkuan me babanë aty dhe, edhe pse nuk folëm “asgjë”, megjithatë dolëm të kënaqur nga shtëpia e tyre. Por, për këto duhet shkruar veç.
InshaAllah Zoti nuk ka “vendosur” ta lërë faqen e dheut pa të dashurit e Tij, evlijaullah!