Haradinaj: Flamuri i Kosovës nuk është vetëm i shqiptarëve por edhe i serbëve, duhet të respektohet

Haradinaj: Flamuri i Kosovës nuk është vetëm i shqiptarëve por edhe i serbëve, duhet të respektohet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë shtet të tyre e kanë Kosovën.

Ai në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temë “Dialogu Kosovë-Serbi pas Samitit të Berlinit”, theksoi se Kosova është Evropë.

“Kosova është Evropë si në gjeografi, si popull, si kulturë, si vlerë, si identitet. Unë jam shqiptar por shteti im është Kosova. Edhe një serb i Kosovës e ka shtet Kosovën. Unë e dua shumë Shqipërinë dhe e kam si shtëpinë time, por prapë e kam shtet Kosovën. Kjo duhet kuptuar drejt prej të gjithëve sidomos nga serbët e Kosovës. Ai mund të jetë serb, por nëse ka lind në Kosovë e ka shtet Kosovën. Një shtet e kemi të gjithë ne që jetojmë në Kosovë”, theksoi ai, transmeton Telegrafi.

Haradinaj theksoi se flamuri i Kosovës është i të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i Serbëve.

“Të gjithë mund të kenë vërejtje që jetojnë në Kosovë se si e kemi shpallur pavarësinë, e gjëra të tjera. Por flamuri i Kosovës nuk është vetëm i shqiptarëve, ai është i të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë. Serbët e kanë edhe një flamur në shtëpi serb. Edhe unë e kam një flamur tjetër, është ai kuq e zi, por flamur të shtetit e kem Kosovën, duhet të definohet kjo. Unë nuk e mohoj Kosovën nëse e dua flamurin kuq e zi, nuk mendoj që një serb e mohon Kosovën nëse e don flamurin e Serbisë. Nuk ka arsye të mos e respektoj flamurin e shtetit të tij, të Kosovës”, theksoi ai./Telegrafi/

TAGS