Haradinaj kërkon nga kryetarët e komunave më shumë përkushtim

Ofrimi i mbështetjes për zhvillimin e Komunave është fokus i Qeverisë së Kosovës. Shumë problemeve të cilat prej dekadash nga mungesa e vullnetit politik kanë mbetur pa u trajtuar, tani po u ofrohet zgjidhje. Rasti i Planit Urbanistik të Prizrenit, kërkesa për hapësirë për varrezat e Gjilanit, Zona Ekonomike e Rahovecit, kërkesa e Drenasit dhe Skenderajt, Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane në Gjakovë, janë vetëm disa nga punët e këtij 8 mujori që janë ndërmarrë nga Qeveria, për t’u dalë në ndihmë për zhvillim të Komunave.

Kryeministri Ramush Haradinaj këto komente i bëri në takimin e dytë konsultativ në mes të Qeverisë dhe Komunave, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit Qeveri–Komuna në vitin 2019, dhe për Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme Komunale.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të jenë më të përkushtuar dhe të angazhuar në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, por edhe në tejkalimin e problemeve me të cilat përballen, duke ofruar mbështetjen e pakursyer të qeverisë në këtë drejtim.

“I kemi dy tema të përbashkëta njëra që ende ka të bëjë me pronat, me mundësitë që komunat me i pas në posedim pronat për të operuar për interesin e publikut, për interesin e projekteve publike, por po ashtu edhe për interesin e zhvillimit ekonomik, zonave ekonomike, zonave industriale”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e të gjitha obligimeve që i takojnë në funksion të krijimit të parakushteve për zhvillimin ekonomik të komunave të Kosovës.

“Tema e dytë ndërlidhet kryesisht me financimin dhe përkrahjen financiare të projekteve tuaja, me kërkesat legjitime buxhetore, një pjesë e të cilave janë edhe bashkëfinancim komunë – qeveri nacionale, por po ashtu kemi fol edhe për projektet që kërkojnë ndihmën e institucioneve monetare ndërkombëtare, qoftë si hua të buta, për ujërat e zeza qoftë për projekte të kësaj natyre, e deri të EBRD”, tha Haradinaj.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevic, tha se ministria që ai drejton ka përkrahë të gjitha iniciativat komunale dhe çdo kërkesë e komunave është shqyrtuar dhe zgjidhur.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, tha se është lajm i mirë  miratimi Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të komunave.

“Mungesa e një projektligji ka qenë pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik dhe kërkesa ime është që ky projektligj të kaloj sa më shpejt në Parlament në mënyrë që të zhbllokohet ky proces”, tha Tahiri.

Në këtë takim nga kryetarët e komunave janë adresuar shumë kërkesa.

“Kryetarët e komunave kanë përshëndetur miratimin në Qeveri të Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës,  i cili ka qenë pengesë për zhvillimin ekonomik jo vetëm të komunave, por pengesë në zhvillimin ekonomik të gjithëmbarshëm të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Pas takimit të parë, ku u identifikuan sfidat dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohen kryetarët e komunave, ky është takimi i dytë konsultativ në mes të nivelit qendror dhe lokal, me qëllim të vazhdimit të përpjekjeve për të fuqizuar edhe më tej komunikimin dhe bashkëpunimin në shërbim të forcimit të rolit të komunave. /Telegrafi/

TAGS