Haradinaj: Ndryshimi i kufijve hap çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan

Haradinaj: Ndryshimi i kufijve hap çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se hapja eventuale e kufijve do të hapë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan, ndërkohë që ka thënë se kufijtë nuk duhet të diskutohen në asnjë tavolinë.

Haradinaj gjatë akademisë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të Betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të Brigadës “Kadri Zeka”, tha se nuk duhet pranuar të diskutohet çështja e kufijve në bisedimet në Bruksel.

Ai tha se janë gabim deklarimet e udhëheqësve evropianë se mund të diskutohet territori i Kosovës.

“Janë gabim deklarimet e udhëheqësve evropianë se mund të diskutohet territori, kufijtë e Kosovës. Nëse ashtu shqiptarët kanë bërë shumë lëshime për të pranuar një Kosovë të tillë. Pra, të gjithë duhet ta kuptojnë se hapja e kufijve do të hap po ashtu çështjen e shqiptarëve, çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan. Nëse janë të gatshëm me e hap këtë çështje atëherë e hapim, por nëse jo, nuk guxojmë të vazhdojmë me deklarime sikur sot. Kemi dëgjuar komisioneri Hahn, pra thotë se nëse palët janë dakord flasim për kufij. Nuk duhet me pranu me iu fol kufijtë e Kosovës në asnjë tryezë nga askush”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë tha se lirinë e Kosovës e kanë penguar në ardhje, e mohojnë edhe sot dhe ai tha se kuptohet që e përpjesëtojnë në mënyra të ndryshme dhe do të vazhdojnë kështu.

“Liria jonë është e sigurt, sepse për garant ka të rënët për liri dhe ka pikërisht vendin ku pushojnë heronjtë dhe dëshmorët tanë. Nëse për liri nuk i është dhimbur jeta njerëzve më të mirë të vendit, luftëtarëve më të zotë dhe nëse për liri kemi qenë të gatshëm të qëndrojmë jo vetëm në vijën e parë të zjarrit, por edhe aty ku kanë rënë heroikisht, jam i bindur se do të qëndrojmë edhe për të drejtën tonë për ta forcuar lirinë dhe shtetin tonë, Kosovën. Njëkohësisht me avancuar të drejtën shqiptare në Ballkan, shqiptarët padrejtësisht janë ndarë në mënyrën si janë ndarë, padrejtësisht janë detyruar me jetua të ndarë. Por, mohimi i Kosovës së sotme nga kushdo që bëhet, si Kosovë e tërë është gabim”, tha ai.

Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se sot kujtojmë një ngjarje të madhe që ka ndodhë në këtë rajon.

“Garancia për lirinë dhe pavarësinë tonë janë bijtë e bijat që kanë rënë në këtë vend. Ata që u bënë themeli i lirisë tonë dhe që kurrë më nuk do të mund të ketë ngjarje të tilla çfarë kemi përjetuar atëherë. Garanci janë edhe të rinjtë që po kaliten tani në edukimin e tyre, në vazhdimin e jetës së tyre për ta bërë shtetin tonë të fuqishëm ashtu siç e meriton populli jonë”, tha ai.

Gjatë ditës, kryeministri Haradinaj i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore në Zhegoc. /Kp/

TAGS