Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i ka dhënë përkrahje kombëtares së Kosovës pak orë para ndeshjes për kualifikime në Euro 2020 kundër Çekisë në qytetin çek, Plzen.
“Forca Dardanëve! E tërë Kosova sonte është me zemër në Doosan Arena në Plzen. Të bashkuar për fitore. Me fat!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai postimin e tij e ka shoqëruar me një fotografi së bashku me lojtarët e kombëtares kosovare.
Kosova do ta luaj sot ndeshjen e parafundit në Grupin A për kualifikime në Evropian, ndërsa gjendët në vendin e tretë pas Anglisë dhe Çekisë.
Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë në Evropian, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.
Play-offs do të zhvillohen përmes gjysmëfinaleve dhe një finale. Kosova do të përballet në gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut, që luan si vendase. Nëse fiton, në finale e pret Gjeorgjia ose Bjellorusia. /Express/