Haradinaj takohet me Komandantin e Operacioneve Civile të BE-së, merr mbështetje për agjenden legjislative

Haradinaj takohet me Komandantin e Operacioneve Civile të BE-së, merr mbështetje për agjenden legjislative

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me Komandantin e Operacioneve Civile të BE-së, Vincenzo Coppola dhe shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, me të cilët bisedoi rreth zhvillimeve politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Sipas njoftimit për media, Haradinaj, ka njoftuar Coppola dhe Papadopoulos, me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe angazhimin e përhershëm në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe çështje të tjera me rëndësi për vendin.

Në njoftim thuhet se kryeministri Haradinaj ka falënderuar misionin e EULEX-it për bashkëpunimin e deritanishëm, në forcimin e institucioneve të sigurisë, duke thënë se Qeveria e vendit ka  rritur buxhetin për Drejtësinë, pagat për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë si dhe ka proceduar një varg ligjesh të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e sistemit gjyqësor në vend.

Sipas njoftimit, kryeministri Haradinaj vlerësoi se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë bërë hapa progresivë sa i përket avancimit të kapaciteteve, duke ju falënderuar edhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë.

“Është me rëndësi të madhe krijimi dhe forcimi i arkitekturës së sigurisë, dhe Kosova në këtë drejtim ka bërë hapa të suksesshëm, përkundër sfidave me të cilat është ballafaquar. Kosova është duke harmonizuar legjislacionin  në fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe në atë antikorrupsion”, ka thënë Haradinaj.

Në njoftim thuhet se, drejtori Coppola ka vlerësuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të çuar përpara agjendën legjislative të vendit, duke treguar gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e dyanshëm./Telegrafi/

TAGS