2 September 2018 / 13:50
Ndonëse kaluan 2 vjet nga vërshimet, banorët e Hasanbegut vazhdojnë të përballen me pasojat. Syart Ibraimi i cili ka mbetur i lënduar rëndë në këmbë nga vërshimet thotë se tashmë një kohë kërkon nga Komuna që të rregullojë rrugicën ku ai jeton si dhe disa rrugica tjera në afërsi sepse dheu që kanë hedhur dhe gypat e kanalizimit vështirësojnë lëvizjen e banorëve të lagjes dhe pamundësojnë kalimin e veturave. Ai thekson se ka fëmijën dhe nënën e sëmurë dhe se shpesh ndodhë të mos nuk mund ti dërgoj as në spital.
Për këtë rrugë prej vërshimeve kur kanë ndodhur në gusht 2016 lutemi, bëjmë ankesa, kemi shkuar në Komunë në zyrë, kemi kontaktuar me telefon. Para dy muajve e rregulluan rrugën kryesore por ishte e paraparë të ndërtohen edhe rrugicat, kanë filluar ti rregullojnë rrugicat por na i kanë mbyllur dyert, na kanë hedhur dhe këtu para derës, nuk mund të dalim prej dyerve tona. Unë nuk jam në gjendje fëmijën tim ta shëtis në rrugicë sepse ka shumë gurë dhe fëmijët më rrëzohen. Një shi i vogël po të bie i gjithë uji më hyn brenda. Kam fëmijën e paralizuar, edhe nënën e kam të paralizuar, vet jam invalid dhe nuk mund të dal nga shtëpia ime të shkoj në mjek. Le të vijnë këtë dhe ta largojnë urgjentisht se jemi tre persona invalid në shtëpi- thotë Syart Ibraimi- banor i Hasanbegut.
Ndërkohë, nga Komuna e Gazi Babës thonë që rrugicat në Hasanbeg deri tani kanë mbetur të pa asfaltuara për shkak të disa mosmarrëveshjeve me qytetarët.
Rruga me numër 28 ishte me prioritet nga rrugët e para që do të asfaltoheshin në Komunën e Gazi Babës për vitin 2018. Pjesa kryesore është kryer, rrugicat tjera që mbetën për asfaltim për shkak të mosmarrëveshjeve dhe aspiratave personale të banorëve të Hasanbegut nuk janë të realizuara për momentin që do të thotë se nga java e ardhshme sipas asaj që paraqet detyrim si Komunë për rrugën 28 do të asfaltohen në mënyrë të plotë edhe rrugicat- tha në telefon Boris Georgievski- kryetar i Komunës së Gazi Babës.
Vërshimet goditën Hasanbegun më 6 gusht të vitit 2018 me ç’rast humbën jetën 23 persona dhe mbetën të lënduar shumë të tjerë. Po ashtu, ishin dëmtuar edhe shumë shtëpi dhe toka bujqësore.
Elmedina Aliji