Hasani para ndeshjes me Malin e Zi: Jam i gatshëm të ndihmoj ekipin, synojmë tri pikët

Hasani para ndeshjes me Malin e Zi: Jam i gatshëm të ndihmoj ekipin, synojmë tri pikët
19:57 | 11 Tetor 2019

Florent Hasani ka thënë disa fjalë para ndeshjes së madhe kundër Malit të Zi.

Në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, Kosova do të përballet me Malin e Zi, në ‘Fadil Vokrri’, ku tri pikët do të jenë jetike për Dardanët.

Para kësaj ndeshje, Hasani është shprehur së është i gatshëm që të jap kontributin e tij për kombëtaren, si dhe ka bërë të ditur se skuadra futet për tri pikët.

Më poshtë lajmi.net ua sjell fjalët e Hasanit në konferencën për shtyp, pas seancës stërvitore të Kosovës.

“Unë mendoj çdo lojtar është i gatshëm, gjithmonë do jem i gatshëm të ndihmoj ekipën dhe të jap më të mirën nga vetja”, tha Hasani, raporton lajmi.net.

“Mendoj që është së pari rivaliteti që e kemi me ta, ata vijnë të shkaktojnë probleme dhe do të tentojnë të marrin 3 pikë të mos mbesin në fund të grupit, ne do të jemi të gatshëm që nga minuta e parë dhe jemi duke u përgatitur në maksimum, e gjithë ekipa është e gatshme. Kjo është finale e rradhës për ne” shtoi tutje ai.

“Konkurrenca çdoherë vjen e shtohet, po kemi lojtarë që janë të rinj, që po kthehen nga lëndimet dhe kjo është e mirë për ekipin sepse konkurrenca bën që secili lojtar të tregojë vetën më mirë”.

“Është e vërtetë që është folur dhe ka pasur kontakte serioze. Jam duke zhvilluar kampionatin atje, po kam minutazhë dhe paraqitje të mira besoj dhe jam duke i shqyrtuar disa mundësi që në janar ose në verë të bëjë hapin e radhës sepse është e rëndësishme për karrierën time” ka thënë Hasani, kur është pyetur për situatën me skaudrën.

Hasani ishte realizatori i golit të vetëm në ndeshjen që Kosova e fitoi 1:0 kundër Gjibraltarit. /Lajmi.net/

TAGS