Haxhiu e Deliu përplasen rëndë, shkak takimi i djeshëm Mustafa – Kurti

Haxhiu e Deliu përplasen rëndë, shkak takimi i djeshëm Mustafa – Kurti

Sot është organizuar debati me temën “Çfarë zgjedhje ofrojnë zgjedhjet?”, ku kanë marrë pjesë disa nga deputetët e partive politike në vend. Në këtë debat diskutim të ashpër kanë pasur deputetja e VV’së Albulena Haxhiu dhe ajo e PDK’së Blerta Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra është përplasur me deputetën e VV’së, Albulena Haxhiun rreth koalicioneve zgjedhore.

Deliu-Kodra e ka cilësuar të çuditshëm takimin e Kurtit me Mustafën. Duke përmendur këtu rastet kur VV-ja kritikon ashpër liderin e LDK.

Ndërkaq duke folur për koalicionet deputetja e PDK-së ka thënë se si parti nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti.

“Albulena e përmend këtu që ka koalicione të çuditshme. Ne jemi dëshmitar të asaj se çka kemi pa, jemi dëshmitar për gjuhën e çuditshme, gjuhën arrogante për atë që ka ndodhur para 2-3 viteve kur subjekti i Albulenës ka pasur një sjellje të patolerueshme konkretisht me zotërinë Isa Mustafa dhe kemi parë gjatë këtyre ditëve të fundit një takim, shtrëngim duarsh, kafe që edhe kjo për ne është e çuditshme sepse kur flitet për koalicione të çuditshme duhet të kthehemi pikë së pari tek vetja jonë”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.

Pas kësaj deklarate i menjëhershëm qe reagimi i deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e cila theksoi se partia e saj nuk bën koalicion asnjëherë me PDK-në. Teksa përmendi edhe takimin e djeshëm mes dy liderëve ku tha se nxiti shumë panik.

“Vetëvendosje nuk bën koalicion me PDK’në. Takimi i djeshëm nxiti shumë panik dhe unë nuk e kuptoj pse, një fotografi e Albinit me Isa Mustafën ngjalli aq shumë panik, po paramendo po të bëhet koalicion çka bëhet këtu. Prandaj po them që jemi treguar të hapur sa i përket LDK-së sepse konsiderojmë që opozita e vërtetë përbehet prej dy subjekteve më të mëdha në Republikën e Kosovës që është VV dhe LDK dhe kjo do të jetë qeverisja e ardhshme”, ka thënë Haxhiu.

Në këtë debat përveç Albulena Haxhiut nga VV e Blerta Deliut nga PDK po marrin pjesë edhe deputetët Ahmet Isufi nga AAK-ja dhe Arben Gashi nga LDK-ja./GazetaExpress