Haxhiu thotë se punëtorëve iu ka humbur shpresa edhe te protesta, prandaj festojnë për 1 Maj

Haxhiu thotë se punëtorëve iu ka humbur shpresa edhe te protesta, prandaj festojnë për 1 Maj

Kryetar i Këshillit organizativ të protestës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Abedin Haxhiu, ka thënë se punëtorët kosovarë edhe këtë herë zgjodhën Gërminë për të festuar dhe jo sheshin për të protestuar.

“Po e shohin më të arsyeshme të dalin të festojnë sesa të dalin për të protestuar për të drejtat e tyre që iu shkelen çdo ditë nga punëdhënësit e tyre”, tha Haxhiu në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Një gjë e tillë mendoj se ndodh për shkak të shumë faktorëve që po ndikojnë në këtë problem. Qeveria që nuk zbaton asnjë ligj që e ka miratuar nga dora e vet dhe kur njerëzit e humbin shpresën që as me protestë e as me një formë tjetër, nuk po ja dalin që të gjejnë një zgjidhje për të”.

“Edhe sot në tubimin e pash se sikur ramë ndesh, ose për shembull kemi pakënaqësi tona dhe nuk i shfaqim. Sikur ne jemi të kënaqur dhe Qeveria e ndjen se i ka përmbushë nevojat e punëtorëve. Nuk besoj që ndonjë punëtor është i kënaqur në Kosovë, përveç disave që janë nëpër institucione shtetërore”.

Haxhiu tha se nuk po i shohin veprimet ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

“Ne si punëtorë nuk i kemi prekur ato se çka ka bërë të mirë ai për ne. Ne punojmë me këto ligje që janë dhe nuk janë të disfavorshme, por nuk janë të zbatueshme apo të implementueshme”.

“Për shembull 10 vjet duhet të presim për një kontratë që do të jepet për një afat të pacaktuar. Marrëveshjes kolektive në Kosovë thuhet se i ka skaduar afati. Unë mendoj se nuk i ka skaduar afati derisa nuk zëvendësohet me një tjetër. E dyta, kontrata kolektive nuk po zbatohet në Kosovë, sidomos në sektorin privat”.

Sa i përket raportimit të parregullsive nëpër punishte dhe vende të punës, Haxhiu tha se sindikalistët nuk po e bëjnë nga frika.

“Nuk mund të them se sindikalistët nuk janë të organizuar, por ata kanë frikë të merren me këto probleme. Sot për shembull që është dita e tyre kanë mundur të vijnë të protestojnë, duhet të jenë më të guximshëm”.

Haxhiu tha se problemi qëndron te Qeveria në raport me sektorin privat dhe që nuk ndërmerr masa për rritjen e pagës minimale.

TAGS