Histori frymëzuese: Shqiptares që serbët ia vranë babanë, u ndihmon refugjatëve të integrohen në Kanada

Historitë më frymëzuese në jetë vijnë nga radhët e sakrificave dhe mundit për t’ia dalë mbanë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për histori reale të refugjatëve kosovarë të larguar nga lufta në vitet 1998-1999.

Në një intervistë dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Arnisa Morina, vajza e vogël e familjes Morina, kujton përjetimet dramatike të kohës së luftës të vitit 1999, kur mijëra prej tyre, fati i solli përtej Atlantikut nën kujdesin e drejtpërdrejtë të shtetit kanadez.

Ajo foli për babanë e saj, të cilin paramilitarët serb ia kishin vrarë në masakrën e Gollubovcit të Malishevës ndërsa, Arnisa ishte vetëm 3 vjeçare. Për të, humbja e babait ka qenë humbja më e madhe në jetë. Ajo tregon se nuk ka shumë kujtime nga babai i saj, për shkak se ka qenë shumë e vogël kur e kanë ndarë përgjithmonë nga ai.

“Ne jemi prej Gjurgjicës, të gjithë si familje kemi jetuar në këtë vend. Pasi serbët morën babanë tim, u munduam të gjithë të iknim. Jetuam me mall për disa muaj. Nga Prishtina morëm trenin për të ikur në Maqedoni dhe qëndruam aty për 5 javë. Më pas na erdhi shansi për t’u nisur në Kanada me avion. Kështu fillimisht, ndenjëm në Military Base në Borden(Canada) për 3 muaj derisa qeveria na gjeti një familje për të na sponsorizuar. Kur qeveria kanadeze gjeti familjen Dalia, që na mbështeti financiarisht, kjo familje na dërgoi në shtëpinë tonë të re në Brantford, Ontario. Familja Dalia, na mbështeti jo vetë duke na siguruar shtëpi por edhe rroba, ushqim dhe gjithçka që kishim nevojë. Familja Dalia ka qenë një bekim i madh për ne dhe ne vazhdojmë të mbajmë kontakte me ta sot. Pa mbështetjen e Dina Dalia, unë nuk do të isha aty ku jam sot, ka treguar Arnisa.

Si më e vogla e familjes, ajo do të kishte shembuj vëllezërit dhe motrat, të cilët do t’i mësonin Arnisës se ditë më të mira po e prisnin.

22-vjeçarja, sot po arsimohet pranë Osgoode Hall Law School, ku gjithashtu bën punë vullnetare pranë “International Refugee Assistance Project (IRAP). Kjo është një nga arritjet më të suksesshme të Arnisës duke theksuar se pranimet në këtë Universitet janë me kuota mjaft të limituara(pra nga 2500 studentë pranohen vetëm 290 çdo vit). Ajo pret të diplomohet për drejtësi. Ky universitet ka numëruar juristë të shumtë dhe të suksesshëm ndaj edhe Arnisa do të jetë me siguri një pre tyre. Shumë shpejt, Morina do të bëhet anëtare e stafit të Real Estate Law Firm në Toronto, ku edhe jeton.

Familja Morina ka mbajtur statusin e refugjatit për një kohë relativisht të gjatë, ndaj edhe Arnisa ka dashur t’u qëndrojë afër dhe t’i njohë më së miri këto raste. Nuk janë të paktat rastet kur ajo u ka dhënë ndihmën e saj për integrimin e tyre në shoqërinë kanadeze. Duke gjykuar edhe me anën profesionale, Morina ka menduar se për ta dhe kauzën e tyre, ajo do të ishte një krah i djathtë i duhur për t’i ndihmuar. Arnisa është e martuar dhe viziton  shpesh vendlindjen e saj.

Për komunitetin shqiptar, Arnisa është një emër i njohur, e cila jep një kontribut për Albanian Excellence Society (ACE). Ajo është pjesë e bordit të saj duke u kujdesur për marrëdhëniet e Komunikimit. Ajo ia dedikon të gjithë suksesin e saj, familjes dhe sidomos nënës. Disa ditë më parë, ajo ka takuar edhe ministrin e diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, që e ka vlerësuar si një nga profesionistet e reja shqiptare në Kanada.

TAGS