Historike: Putin dhe Zelensky bisedojnë për konfliktin Ukrainë-Rusi

Historike: Putin dhe Zelensky bisedojnë për konfliktin Ukrainë-Rusi

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, kanë arritur në Paris për të biseduar ballë për ballë, për herë të parë, lidhur me konfliktin në të cilin kanë vdekur më shumë se 13,000 persona.

Franca dhe Gjermania po ndërmjetësojnë.

Udhëheqësit do të përpiqen t’i japin fund luftimeve që kanë zgjatur për pesë vjet e gjysmë në Ukrainën Lindore, midis forcave qeveritare dhe rebelëve separatist të mbështetur nga Rusia.

Takimi vjen pas një shkëmbimi të madh të të burgosurve dhe tërheqjes së ushtrisë së Ukrainës nga tre zona kryesore në vijën e parë.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel janë nikoqirë të bisedimeve në Pallatin Élysée.

Lëvizjet e fundit ushtarake dhe diplomatike të Zelensky-t kanë për qëllim sigurimin e paqes, por tashmë ka pasur reagime të zemëruara midis kundërshtarëve të tij, të cilët kanë paralajmëruar të mos pranojë shumë për Rusinë.

Edhe pse gjasat janë të vogla që takimi zyrtar në Paris të rezultojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje mes Kyivit dhe Moskës, Rusia ka folur për “optimizëm shumë të kujdesshëm” mbi samitin e parë të drejtuesve për më shumë se tre vjet.