Historiku i xhamisë DAI 2008 – 2017

Historiku i xhamisë DAI 2008 – 2017

 

Ky është Manhajmi…

Një qytet në pjesën jugperëndimore të Gjermanisë me një numër të popullsisë rreth 318 mijë banorë. Ky qytet, për shkak të bukurisë dhe mundësive ekonomike që i ofron, u bë tërheqës për shumë popuj nga vende të ndryshme të Evropës e më gjerë. Në Manhajm jetojnë mbi 170 kombe të ndryshme, rreth 44% e banorëve janë me prejardhje jo gjermane, kurse myslimanët përbëjnë 10 për qindëshin e popullsisë në këtë qytet, ku funksionojnë rreth 13 xhami.

Ky qytet u bë tërheqës edhe për shumë shqiptarë, qoftë nga Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore etj., numri i të cilëve arrin mbi 4 mijë.

Përveç organizimit kulturor, arsimor të shqiptarëve, në Manhajm që nga viti 2008 u ngrit iniciativa për themelimin e një xhamie shqiptare e cila do të jetë vatër edhe fetare, edhe kombëtare. Kështu, më 7 tetor të vitit 2008 u mbajt takimi  i parë i Kuvendit për themelimin e xhamisë, në të cilën prezantuan 40 xhematlinj, me ç’rast u zgjodh kryesia 7 anëtarëshe dhe ku si kryetar i parë u zgjodh Muhamed Damati.

Vetëm katër muaj më pas, gjegjësisht në janar të vitit 2009 në mënyrë ligjore u bë kërkesa në gjykatën komunale të Manhajmit për themelimin e xhamisë.

Derisa pritej përgjigjja nga organet kompetente, menjëherë në shkurt të po atij viti filloi mësim besimi në shtëpinë private të haxhi Nuri Kadriut. Në qershor të 2009-tës u mor një lokal në qendër të Manhajmit, lokal ky i cili shërbeu si xhami për 8 vjet me radhë, në të cilën kryheshin faljet ditore të namazeve, xhumaja, festat, plus aktivitete tjera në favor të shqiptarëve, hapja së cilës u bë më 15 qershor.

Një vit më pas, xhamia arriti në 80 anëtarë, me ç’rast e zgjodhi kryesinë e re me kryetar të ri haxhi Lokman Jashari, ndërsa në vitin 2012 xhamia i bëri ndryshimet e udhëheqjes me kryesi të re dhe me kryetar të ri; haxhi Amir Avdiu, ndërsa numri i anëtarëve të xhamisë u shtua në 180.

Kështu, pas shtatë viteve përplot me aktivitete e sfida, shqiptarët e Manhajmit arritën që të gjejnë një objekt të ri për xhami dhe kështu në mbledhjen e kryesisë u vendos që i njëjti vend të vizitohet bashkë me xhematin, me ç’rast u vendos bashkërisht që të blihet objekti duke i filluar bisedimet me pronarin e objektit.

Në verën e vitit 2015 u nënshkruajt kontrata e shitblerjes, të cilën nga ana e kryesisë së xhamisë u nënshkruajt nga kryetari haxhi Amiri dhe sekretari haxhi Rabiti dhe kështu më pastaj punimet e riparimit dhe shndërrimit të objektit në vend falje filluan në tetor të po atij viti.

Të gjitha punimet zhvilloheshin nën mbikëqyrjen e njerëzve kompetentë të xhamisë, por edhe të inxhinierit Islam Aliu dhe arkitektit Ali Ajeti të cilët kishin bërë planin se si do të dukej xhamia e ardhshme dhe të cilën e kishin dërguar kërkesën në komunë.

Ramazani i 2016-tës ishte muaj bereqeti për këtë xhami, nga fakti se pikërisht në këtë muaj u dha leja nga organet kompetente të komunës për xhaminë.

Pikërisht për shkak të aktiviteteve të shumta të kryesisë dhe xhematit të xhamisë, në vitin 2016 u pranuam në Unionin e Xhamive Shqiptare në Gjermani, kështu për të vazhduar bashkëpunimin me shumë xhami të tjera shqiptare.

Punët rreth xhamisë nuk janë ndalur për një vit të plotë, që nga Ramazani i 2016-tës e deri në Ramazanin tjetër të vitit 2017, ndërsa në maj të vitit 2017, më saktë më 10 maj, komuna pranoi legalizimin e xhamisë tonë dhe shqiptarët iu gëzuan shumë këtij fakti.

26 maji i vitit 2017 ishte dita kur u bë hapja e xhamisë për faljen e namazit dhe për aktivitete tjera të shumta, ndërsa në Ramazanin e 2017-tës u tubuan paratë e fundit për larjen e borxhit, kurse në shkurt të vitit 2018 shqiptarët u bënë pronarë të plotë të xhamisë, vendim ky i lëshuar nga Gjykata Komunale e Manhajmit.

 

Kjo është kronologjia e sfidave që i kemi kaluar bashkërisht deri në ditët e sotme. Por xhamia jonë nuk është ndalur me aktivitete të ndryshme të cilat i kanë dhënë rezultatet e duhura:

Mësim besimi fetar për fëmijë –pra hatmeja.

Organizimi i tribunave fetare

Aktivitetet javore sportive + turnetë vjetore

Po ashtu, kemi marrë aksion për shtrimin e rrugës te varrezat myslimane

  • Organizimi haxhit dhe umres

Lyerja vullnetare e dy shkollave

Kontakte të rregullta me kompetentët e komunës dhe të policisë e tjera.

  • Organizimi i suksesshëm i mbremjeve Kuranore
  • Si dhe aktivitete të ndryshme, si kurorëzimet, konvertimet, akikat, ekskursione nëpër xhami të ndryshme, ndihma për familjet nevojtare në atdhe, grumbullimi i fitrave dhe i zeqatit për Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore apo Luginë, tubimi i të hollave për kurbana, ndihma të ndryshme për nevojtarë, ndihma për mbushjen e dokumentacionit për xhematin etj.

Nuk ka munguar as sistemi I informimit të xhematit për ndonjë aktivitet nëpërmjet sms porosive, fejsbukut etj.

 

Pjesë e aktiviteteve është edhe ky manifestim sot –hapja solemne e xhamisë, të cilën po e kurorëzojmë me këtë mbrëmje të organizuar enkas për xhematin e xhamisë dhe për mysafirët tanë anekënd vendeve të Evropës, duke premtuar se kjo xhami do të jetë vatër e dijes, e diturisë, e fesë, e shpirtërores, e paqes, e kombëtares dhe në shërbim të shqiptarëve. Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kanë kontribuar deri më tani në mënyra të ndryshme e të shumta për ngritjen e këtij institucioni fetar e kombëtar.

E gëzofshim bashkë për shumë mote…