Hoti: Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territorin

Hoti: Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territorin

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se procesi i dialogut duhet të zhvillohet në pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit të Kosovës, në të kundërtën ky proces është jo legjitim.

Hoti në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se integriteti territorial i Republikës së Kosovës dhe karakteri unitar i shtetit nuk negociohen.

Sipas tij, Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territor.

Siç tha Hoti, LDK-ja i ka adaptuar parimet bazë lidhur me dialogun dhe janë të gatshëm të punojnë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Hotit:

Procesi i dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit. Çdo format tjetër i zhvillimit të dialogut e bënë atë jo legjitim dhe jo kushtetues. Pasi marrëveshja përfundimtare kërkon 2/3 e votave të Kuvendit për tu ratifikuar, atëherë edhe platforma për dialog është legjitime dhe kushtetuese vetëm kur miratohet me 2/3 e votave në Kuvend.

Duke qenë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në dialog, atëherë janë dy mundësi. E para, dialogu të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime bazuar në përgjegjësitë e tyre kushtetuese. E dyta, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje. Në të dyja rastet dialogu zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend.

Në cilëndo variantë, të gjithë ta kenë të qartë se integritetit territorial i Republikës së Kosovës dhe karakteri unitar i shtetit nuk negociohen. Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territor. Me vullnet të lirë, në dakordim me partnerët ndërkombëtarë, më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë. Këtë vendim shteti i Kosovës e ka mbrojtur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konkluduar se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare.

LDK i ka adaptuar parimet bazë lidhur me dialogun dhe jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve.

TAGS