Hoti: Të pagjeturit janë provë e gjenocidit serb në Kosovë

Hoti: Të pagjeturit janë provë e gjenocidit serb në Kosovë

Në 20-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, në Prizren sot është mbajtur akademi përkujtimore nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, nga ku është bërë thirrje edhe një herë që të dënohet krimi serb i kryer në Kosovë.

Djali i veprimtarit Ukshin Hoti, Andin Hoti tha se fati i të pagjeturve është metaforë e dështimit politikë dhe faktorit ndërkombëtar.

“Fati i babit tim dhe u gjithë të pagjeturve tjerë është metafora e dështimit politikë dhe humanitar të faktorit ndërkombëtarë të Kosovës dhe gjithë organizatave të të drejtave të njeriut, që 20 vjet familjet tona jetojnë me ankthin e më të dashurve të tyre. Të pagjeturit janë një provë e gjenocidit serb në Kosovë, ndërsa Kosova sot për fat të mirë e ka një seancë ku  do të fillon tribunalin e saj për dënimet e krimeve të luftës që Serbia e ka bërë në Kosovë. Të pagjeturit kanë vetëm një adresë është Serbia, ndërsa Kosovës i kërkohet të jetë konstruktive ne dialog me Serbinë, e cila jo vetëm që nuk pranon fajin por ka filluar edhe t’i mohoj edhe krimet e njohura botërisht. Ftoj institucionet e Kosovës që të kushtëzoj marrëveshjen me Serbinë derisa ajo mos të përgjigjet për njerëzit tanë dhe të ftoj bashkësinë ndërkombëtare, SHBA-në dhe BE-në që të shtojnë presionin ndaj Serbisë të paktën për hir të së njerëzores, për hir të lotëve dhe lutjeve të nënave tona”, tha Hoti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke iu drejtuar djalit të Ukshin Hotit, tha se ky i fundit është babai i kombit. Madje, sipas tij, fati i tij është edhe sinonim i kombit tonë.

“Baba yt është baba i kombit tonë për këtu në Kosovë, të jesh i bindur… Fati i Ukshin Hotit nëse ka sinonim që lidhet me kombin tonë, nuk e di ka figurë tjetër të një mendimtari, ideologu të madh si Ukshin Hoti… E vërteta për Ukshin Hotin dikush thotë nuk dihet, dihet çdo ditë, ajo po ndodh çdo ditë, për faktin se Ukshin Hoti ishte një intelektual, ideolog. Kur ka fol se kombi ynë duhet të ketë të drejtat e veta, se kombi ynë duhet të ketë ushtri, shtet, të tjerët janë frikësuar të dëgjojnë prej tij, ky është një fakt dhe realitet”, tha Veseli.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se duhet të kërkohet e drejta, e mohuar me vite të tëra, për të dënuar gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

“I mënjanuar dhe i ndjekur nga regjimi serb gjatë viteve të trazirave 1990-1991, i burgosur sërish në vitin 1994, unik në këndvështrimin politikë ndaj shoqërisë shqiptare dhe zëri moral i saj. Armiqtë e lirisë nuk i besuan as sistemit të burgjeve të hekurta, e nxorën nga burgjet dhe e çuan, e zhdukën intelektualin kryengritës. Sepse idetë e madhe të kryengritjes nuk arritën t’i burgosnin. Jo rastësisht pushtuesi iu hakmor, Ukshin Hotit të Krushës, një nga masakrat më mizore te Kosovës. Sot kur po flasim për Ukën duhet ta shtrojmë pyetjen se cilat janë fuqitë tona kombëtare dhe sa jemi në nivel të detyrës për shtet-mbajtje. Ne kemi gjeografinë kompakte, popullsinë e re përballë kombeve fqinje që po plaken dhe ushtrinë. Por mbi të gjitha kemi edhe orientimin politik të palëkundur veri-atlantik. Sot ne duhet kërkojmë përgjigjen në pyetjen “Ku është Ukshin Hoti?”, jo vetëm si parullë politike ngase Uka nuk u përkiste këtyre adresave”, tha Haradinaj.

Ndonëse vendlindja e tij është Rahoveci, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi tha se kanë vendosur që këtë akademi ta mbajnë në komunën e Prizrenit për shkak se konsiderohet kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, dhe tempulli i dijes, ku edhe universiteti mban emrin e Ukshin Hotit.

“Profili i tij prej një atdhetari të kulluar, humanisti, kryengritësi, prijës i mendimit politikë, udhërrëfyes drejt lirisë së dinjitetit njerëzor dhe kombëtarë, na bën të ndjehemi borxhli përherë ndaj jetës dhe veprimtarisë së tij”, tha Latifi.

Të pranishëm, në këtë akademi përkujtimore, ishin edhe shumë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës e qytetarë. Të njëjtit po ashtu kanë bërë homazhe pranë bustit të Ukshin Hotit, në oborrin e Universitetit në Prizren që mban emrin e tij. /Kp/Telegrafi/

TAGS