Hoxha: Komunitetet janë ura të rëndësishme bashkëpunimi

Hoxha: Komunitetet janë ura të rëndësishme bashkëpunimi

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në takimin me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Drejtorin për Çështjet e BE-së, Faruk Kaymakcı, ka diskutuar për të arriturat e procesit integrues si dhe përkushtimin e Kosovës për këtë proces.

Sipas njoftimit për media, Hoxha ka thënë se Ballkani perëndimor është brenda agjendës dhe perspektivës integruese, për zgjerimin e BE-së drejt rajonit të Ballkanit, duke vlerësuar përkushtimin e lartë të Kosovës për këtë agjendë.

“Vlerësojmë lartë përkrahjen dhe bashkëpunimin me Turqinë për proceset që ka kaluar vendi ynë, në veçanti gjatë shtet-ndërtimit dhe kontributin për zhvillimin ekonomik. Perspektiva e rajonit është e qartë, të gjitha vendet veç e veç jemi të përkushtuara për zgjerimin e BE-së drejt gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor, me vlerat integruese evropiane”, ka thënë ajo.

Në njoftim thuhet se, Hoxha vlerësoi lartë të arriturat si dhe vlerat e Kushtetutës së Kosovës, duke mbrojtur dhe promovuar të drejtat e komuniteteve pakicë, si shembull në nivel rajonal dhe më gjerë, si dhe fuqizimin e urave lidhëse ndërmjet dy popujve.

Nndërsa sipas komunikatës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe drejtori për Çështjet e BE-së, Faruk Kaymakcı, ka vlerësuar bashkëpunimin bilateral si dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, në veçanti integrimin e tyre në institucionet e të gjitha niveleve, si urë e rëndësishme e bashkëpunimit në mes të dy popujve./Telegrafi/

TAGS