Hoxhaj reagon pas akuzave të Sali Berishës për presidentin Thaçin

Hoxhaj reagon pas akuzave të Sali Berishës për presidentin Thaçin

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka akuzuar  presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, se është argat i Serbisë dhe se ai nuk duhet të shkojë në asnjë negociatë për Kosovën, pa shkuar në Hagë.

Hoxhaj në reagimin e bërë ka thënë se ka pasur konsideratë të lartë për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, ndërsa tash pikëpamjet e tij me frymë përçarëse po e rrënojnë kontributin e tij të dhënë në të kaluarën për Kosovën, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu:

Tutje Hoxha në reagimin e bërë ka thënë se ish-kryeministri Berisha, po mundohet ta bartë debatin e politikës ditore të Shqipërisë në Kosovë, duke shprehur një mendësi totalitare për ndarjen se kush është tradhtar dhe hero.

Shkrimi i plotë:

“Çdo herë kam pasur konsideratë të lartë për Sali Berishën, si një politikan me të cilin kam bashkëpunuar në pozita të ndryshme që kam mbajtur në Qeverinë e Kosovës. E kam parë si njeri të parimeve, të së vërtetës dhe të virtytit. Mjerisht, pikëpamjet e tij të kohëve të fundit me frymë përçarëse dhe me ngjyra të errëta për t’i bërë akuzat e tij të padrejta dhe sinqeritetin selektiv të duken të vërteta, janë koncentrat i hipokrizisë dhe po e rrënojnë kontrubutin e tij dhënë në të kaluarën për Kosovën.

Fatkeqësisht, debatin e politikës ditore në Shqipëri po përpiqet ta bartë edhe në Kosovë, duke shprehur një mendësi totalitare për ndarjen se kush është tradhtar dhe hero. Përmbyllja e shtet-ndërtimit të Kosovës me njohje të ndërsjellët Kosovë – Serbi dhe me ulëse për Kosovën në OKB është konsolidim i jashtëm edhe i Shqipërisë dhe një faktor i fuqizimit të shqiptarëve në rajon. Për tema të tilla Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për një dialog ndër-shqiptar”, shkruan Hoxha në Facebook. /Telegrafi/

TAGS