Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli po thonë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja. Mirëpo, ata që në të gjitha sondazhet po luftojnë për pozitë të tretë, si duket janë dorëzuar edhe për punën e koalicioneve. Tash po paralajmërojnë se do të bashkohet me parti të vogla për zgjedhje, raporton Express.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar këtë në një intervistë për EO.
“Qëndrimi ynë si parti politike është që ne do shkojmë në zgjedhje të vetme, nuk e përjashtojmë mundësinë që mund bëjmë koalicion me ndonjë parti të vogël, por jo me ndonjë parti të madhe relevante”, ka thënë ai.
Hoxhaj u shpreh se PDK-ja nuk negocion me askënd për postin e të parit të Qeverisë, pasi që kjo është një traditë e cila e ka përcjellë këtë parti me vite rresht.
“Mendoj që PDK-ja është e qartë, që vetëm posti i kryeministrit që është dhe traditë e PDK-së, ne sa herë e kemi pas kryeministrin, jemi dalluar si parti e vendimeve të mëdha, e një qeverisje dinamike, e rezultateve konkrete, është oferta jonë për këto zgjedhje dhe asnjë hap mbrapa, asnjë kompromis, asnjë lëshim pe, nuk është në imagjinatën tonë politike aktualisht”.
Ai tha se në mandatin e qeverisë Haradinaj, nuk kanë përfunduar shumë procese, andaj edhe thotë se meritat për shumë vendime të mëdha të vendit, i ka vetë Partia Demokratike e Kosovës./Express/