Hysni Shaqiri: Është koha e ardhjes të strukturës së re ASH-AAA

Hysni Shaqiri: Është koha e ardhjes të strukturës së re ASH-AAA

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut dhe Lëvizja Besa sot publikuan arritjet e marrëveshjes për koalicionim parazgjedhor, i pari mes një partie shqiptare dhe një maqedonase.

Nga ana tjetër, ky koalicion ka ngjallur debat të madh në medie, rrjete sociale apo edhe në ambiente të ndryshme në vend.

Kështu ish deputeti i cili e lëshoi kuvendin për t’ju bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Hisni Shaqiri, këtë veprim të Lëvizjes Besa e quan si të nxituar, sipas tij, ky veprim mund të jetë pengesë e realizimit të interesave kombëtare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në të ardhmen.

Sipas tij koha e ndryshimit në politikbërjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është dhe se duhet që të ketë ndryshim po jo duke kërkuar zgjedhje në taborin tjetër politik, por tek blloku opozitar shqiptar.

“Është bërë një laramani tek shqiptarët që nga viti 2016, që nuk ka qenë më herët si fenomen i shfaqur tek shqiptarët, ja që ndodhi për herë të parë. Unë do të doja të thoja se në këto rrethana, apo lëvizje që po ndodhin nuk i ndihmojnë proceset kombëtare, nuk i ndihmojnë interesit shqiptar në Maqedoni, me faktin se trupi votues, ashtu siç është, i reduktuar me ikjen e të rinjëve, është dëmtuar jashtëzakonisht shumë, pastaj edhe një pjesë e votuesve të cilët nga dëshpërimi do të tërhiqen e do të votojnë për një parti të bllokut maqedonas, paraqet humbje të madhe, tash pa marrë pasaysh se si kanë lëvizur proceset në këtë kohë, e që mund të themi se kanë dështuar në një farë forme në rrafshin politik sa i përket interesit të përgjithshëm kombëtar, nuk do të thotë që zgjidhja të jetë që njerëzit të braktisin atë që është interes i përgjithshëm për hir të një dëshpërimi dhe të kërkojnë zgjidhje diku tjetër. Tash ato janë strukturë, pra BESA është strukturë, e ka udhëheqësinë e vet, e cila besoj se di t’i konceptojë këto lëvizje politike, por do të thoja se në këto momente të rëndësishme, nuk është zgjidhje të çështjes shqiptare në kuadër të të gjithë proceseve politike në Maqedoni duke dobësuar trupin votues shqiptar, duke kërkuar zgjidhje në një tabor tjetër, pasi kjo me kalimin e kohës do të ketë pasoja, e këtë dikush duhet ta ketë parasysh, këto lëvizjet që po bëhen në këtë drejtim padyshim se do të jenë me rreziqe të mëdha në të gjitha proceset, që në një mënyrë apo tjetër kanë shkaktuar huti edhe problemet e këtilla kërkojnë mobilizim dhe inkuadrim në një projekt kombëtar që është i interesuar për ndryshimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, kjo kërkon shumë përpjekje dhe sakrificë, e kjo sakrificë bëhet vetëm me një unitet dhe bashkëpunim brenda shqiptarëve, e tash është koha që të ketë ndryshime politike, është koha që të vijë një strukturë e re, siç është koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, këtu ka pasur vend edhe për BESËN, e cila aleancë e opozitës shqiptare do të kishte një rëndësi të veçantë në zgjedhjet e 12 prillit.”, ka thënë, për in7, Hysni Shaqiri ish deputet në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe ish ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.