I vazhdohet paraburgimi për dy muaj serbit nga Peja, të dyshuar për krime lufte

I vazhdohet paraburgimi për dy muaj serbit nga Peja, të dyshuar për krime lufte

Gjykata themelore në Pejë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarit për krime lufte Zoran Gjokiq nga Peja, i cili është arrestuar me dyshimin se gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile.

Lajmin e ka bërë të ditur për mediat serbe Lubomir Pantoviq, avokat i të dyshuarit, duke e cilësuar të kundërligjshëm vendimin për zgjatjen e paraburgimit për klientin e tij.

“Megjithëse ligji kërkon që të gjitha organet e përfshira në procedurën penale të veprojnë me urgjencë të veçantë kur i pandehuri ndodhet në paraburgim, këtu kemi një situatë që, në veçanti, Prokuroria Speciale e Kosovës, kryen një hetim me javashllëk të veçantë dhe përveç kësaj vazhdon të zgjasë paraburgimin. Për tre muaj të paraburgimit, prokuroria kreu vetëm tre veprime hetimore, të cilat janë më shumë se të pamjaftueshme, që tregon  për një ngadalësi të madhe dhe shkelje të ligjit në dëm të Zoran Gjokiqit”, ka thënë avokati, përcjell Telegrafi.

Nga viti 2015 Gjokiqi ka jetuar në Mitrovicë dhe ka punuar në organizata joqeveritare, një kohë edhe në Qeverinë e Kosovës në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Ai është arrestuar në fillim të shkurtit në vendkalimin Jarinje në veri të Kosovës, prej ku është transferuar në Pejë.

Gjokiqi masën e paraburgimit po e vuan në burgun Special të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës. /Telegrafi/

TAGS