Identifikohen 86 lëmoshëkërkues, iniciohen 15 raste për keqtrajtim

Plani Operativ “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit”, realizuar gjatë qershorit në gjithë territorin e Kosovës nga njësitë e drejtorisë për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, ka rezultuar me identifikimin e 86 fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre 58 nga Shqipëria dhe 28 nga Kosova.

Në një komunikatë për media thuhet se për shtetasit kosovarë, në konsultim me prokuroritë përkatëse, janë iniciuar 15 raste keqtrajtim apo braktisje e fëmijës kundër prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues, ndërsa shtetasit shqiptarë do të trajtohen bazuar në Ligjin për të huaj.

Të gjithë të identifikuarit, fëmijë në situatë rruge kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente që kanë vërtetuar identitetin e tyre dhe lidhjen familjare, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar të jenë viktimë e trafikimit me njerëz.

Policia e Kosovës shpreh përkushtimin në luftimin e dukurive negative në vend, në veçanti luftë e pa kompromis do të realizohet ndaj të gjithë atyre që pretendojnë të keqpërdorin fëmijët dhe cenojnë të drejtat e tyre në çfarëdo mënyre. /kp/Telegrafi/

TAGS